Raporti i UNFPA: Dy në tre gra në Ballkan përjetojnë keqtrajtim gjatë lindjes, 39% e grave në Kosovë të pakënaqura

Një raport i ri i UNFPA nxjerr në pah përhapjen e keqtrajtimit gjatë lindjes në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, duke përfshirë edhe trendet shqetësuese në Ballkanin Perëndimor dhe Kosovë.

Raporti “Kujdesi Respektues gjatë Lindjes: Përvojat dhe Perspektivat e Grave në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore” bazohet në një anketë me mbi 2,600 gra që kanë lindur së fundmi në 16 vende, duke përfshirë Ballkanin Perëndimor dhe Kosovën.

Rezultatet tregojnë një problem serioz në kujdesin obstetrik.

“67% e grave të anketuara raportuan të paktën një formë keqtrajtimi gjatë lindjes. 48.1% iu nënshtruan procedurave mjekësore pa pëlqim të informuar, përfshirë epiziotominë, prerjen cezariane dhe administrimin e oksitocinës. 24% raportuan abuzim verbal, ndërsa 1 në 10 gra përjetuan abuzim fizik ose seksual gjatë lindjes ose ekzaminimeve gjinekologjike. 53.7% nuk e njihnin termin “dhunë obstetrike”, dhe vetëm 2% e rasteve të keqtrajtimit u raportuan zyrtarisht”, janw gjetjet kryesore tw këtij raporti.

Raporti thekson gjithashtu dallime të rëndësishme rajonale. Gratë nga Ballkani Perëndimor raportuan disa nga nivelet më të larta të pakënaqësisë me përvojën e tyre të lindjes.

“Nga gratë e anketuara, 42.7 për qind në Shqipëri dhe 39.2 për qind në Kosovë deklaruan se ishin të pakënaqura me përvojën e tyre të lindjes – ndër përqindjet më të larta të regjistruara në mesin e vendeve të përfshira në studim”, thuhet në njoftim.

Florence Bauer, Drejtore Rajonale e UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, theksoi rëndësinë e ndërhyrjes.

“Këto gjetje janë një sinjal i fortë alarmi. Çdo grua ka të drejtë për standardin më të lartë të mundshëm të shëndetit, i cili duhet të përfshijë kujdes dinjitoz dhe respektues gjatë lindjes,” tha Bauer.

Ajo shtoi se dhuna obstetrike është jo vetëm çështje klinike, por edhe shkelje e të drejtave të njeriut:

“Dhuna obstetrike nuk është vetëm një çështje klinike; është një shkelje e të drejtave të njeriut që i bën gratë të ndihen të pafuqishme dhe të lënduara, me pasoja afatgjata për shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Ne duhet të punojmë së bashku për ta transformuar kujdesin gjatë lindjes në një përvojë vërtet të përqendruar te gruaja, respektuese dhe pozitive për të gjitha”, u shpreh Bauer.

UNFPA dhe EBCOG kanë publikuar një Thirrje për Veprim, duke bërë apel për miratimin e ligjeve që mbrojnë kujdesin respektues gjatë lindjes, trajnime të personelit shëndetësor, edukim për gratë dhe mekanizma transparentë të llogaridhënies.

“Kujdesi respektues nuk është opsional; ai është një parakusht për shërbime cilësore të maternitetit. Duke promovuar një qasje ndërdisiplinore dhe duke adresuar barrierat sistemike, mund të sigurojmë që çdo lindje të jetë e sigurt dhe dinjitoze”, përfundoi Bauer.

Raporti i UNFPA nënvizon nevojën urgjente për veprime konkrete në Ballkanin Perëndimor dhe Kosovë për të garantuar të drejtat dhe dinjitetin e grave gjatë lindjes. /Telegrafi/