Range Rover Sport Electric, i zhvilluar për performancë dhe reagim dinamik

Teknologji

Range Rover Sport po hyn për herë të parë në epokën plotësisht elektrike. Prodhuesi britanik ka prezantuar Range Rover Sport Electric, një model që synon të ruajë karakterin sportiv dhe aftësitë jashtë asfaltit të kësaj linje, por tashmë me sistem elektrik të lëvizjes. Modeli i ri fuqizohet nga dy motorë elektrikë me nga 260 kW, […]

Madhësia e shkronjave

Range Rover Sport po hyn për herë të parë në epokën plotësisht elektrike. Prodhuesi britanik ka prezantuar Range Rover Sport Electric, një model që synon të ruajë karakterin sportiv dhe aftësitë jashtë asfaltit të kësaj linje, por tashmë me sistem elektrik të lëvizjes.

Modeli i ri fuqizohet nga dy motorë elektrikë me nga 260 kW, të cilët së bashku prodhojnë deri në 550 kuaj fuqi dhe 850 Nm çift rrotullues. Kjo është edhe vlera më e lartë e çiftit rrotullues e ofruar deri më tani në një Range Rover Sport.

Me aktivizimin e sistemit Dynamic Launch Mode, vetura arrin nga 0 në 60 mph, rreth 96 km/h, për vetëm 4.3 sekonda.

Megjithatë, ndryshimet nuk lidhen vetëm me sistemin e motorizimit.

Range Rover Sport Electric ka një strukturë të karrocerisë 61 për qind më të ngurtë dhe qendër graviteti 73 mm më të ulët krahasuar me versionet plug-in hybrid. Këto ndryshime, së bashku me sistemet Adaptive Dynamics, Twin Valve Dampers, Electronic Active Roll Control dhe All-Wheel Steering, janë menduar për ta bërë veturën më të qëndrueshme, më precize dhe më të shpejtë në reagim gjatë vozitjes.

Një prej elementeve kryesore të Range Rover Sport Electric është bateria litium-jon me kapacitet 118.5 kWh.

Sipas të dhënave të prodhuesit, modeli ofron autonomi deri në 609 kilometra sipas ciklit WLTP, ndërsa autonomia e parashikuar në kushte reale arrin deri në rreth 536 kilometra.

Arkitektura elektrike 800V mundëson edhe mbushje të shpejtë. Në një pikë të përshtatshme DC, vetura mund të fitojë deri në 220 kilometra autonomi brenda rreth 10 minutash, ndërsa mbushja nga 10 në 80 për qind zgjat rreth 22 minuta.

Edhe pse tashmë është plotësisht elektrik, Range Rover Sport vazhdon të ruajë fokusin te aftësitë në terrene të vështira.

Vetura mund të kalojë në ujë me thellësi deri në 900 mm dhe të përballojë pjerrësi deri në 45 gradë.

Për ta testuar këtë, Range Rover e ka zhvilluar fazën përfundimtare të provave në guroret e mermerit në Carrara të Italisë, ku modeli është përballur me sipërfaqe të ndryshme, nga mermeri i lëmuar deri te shtresat e trasha të pluhurit.

Sistemi inteligjent i kontrollit të tërheqjes dhe sistemi virtual me të gjitha rrotat aktive janë përshtatur posaçërisht për versionin elektrik, ndërsa drejtimi me të gjitha rrotat ndihmon edhe në manovrimin në hapësira të ngushta dhe kthesa të forta.

Testimet janë zhvilluar edhe në pistën private Magarigawa Club në Japoni, ku inxhinierët kanë punuar në konfigurimin e shasisë dhe sjelljen dinamike të veturës.

Në dizajn, Range Rover Sport Electric ruan linjat karakteristike të versioneve tjera Sport, por sjell disa elemente të përshtatura për efikasitet më të lartë.

Grila e përparme dhe dizajni i fellneve janë optimizuar aerodinamikisht, ndërsa sipas kompanisë këto ndryshime mund të shtojnë deri në rreth 16 kilometra autonomi gjatë vozitjes në autostradë.

Modeli do të jetë në dispozicion në versionet Dynamic SE, Dynamic HSE, Autobiography dhe First Edition.

Range Rover Sport Electric do të prodhohet në Solihull të Mbretërisë së Bashkuar, në të njëjtat linja prodhimi me versionet plug-in hybrid, benzinë dhe dizel.

Bateria mbulohet me garanci prej tetë vjetësh ose 100 mijë miljesh, ndërsa vetura mbështet edhe përditësime të softuerit nga distanca.

Porositë për Range Rover Sport Electric tahmë janë hapur, duke e zgjeruar familjen Sport me versionin e saj të parë plotësisht elektrik.