Qeveria në detyrë zhvillon mbledhje elektronike, miraton mbi 5.6 milionë euro transfere

Nacionale

Qeveria në detyrë e Kosovës ka zhvilluar të mërkurën një mbledhje elektronike, ku ka marrë disa vendime, përfshirë transfere buxhetore në vlerë prej 5.63 milionë eurosh. Në kuadër të mbledhjes, Qeveria ka miratuar kërkesën e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës për transferimin e 4,333,900 eurove, të destinuara për furnizim me barna nga Lista […]

Madhësia e shkronjave

Qeveria në detyrë e Kosovës ka zhvilluar të mërkurën një mbledhje elektronike, ku ka marrë disa vendime, përfshirë transfere buxhetore në vlerë prej 5.63 milionë eurosh.

Në kuadër të mbledhjes, Qeveria ka miratuar kërkesën e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës për transferimin e 4,333,900 eurove, të destinuara për furnizim me barna nga Lista e Barnave Esenciale.

Po ashtu, është miratuar kërkesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme për transferimin e 1 milion eurove, për mbulimin e obligimeve që lidhen me shpenzimet operative.

Ndërkohë, Komunës së Podujevës i janë transferuar 300 mijë euro, për mbulimin e obligimeve kontraktuale.

Në mbledhje është miratuar edhe vendimi për caktimin e kompensimit mujor të anëtarëve të Bordit të drejtorëve të ndërmarrjes publike qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë – KRE (Energy Storage Corporation – ESCorp)”.

Qeveria ka vendosur gjithashtu që një hapësirë prej 999 metrash katrorë, në pronësi të Agjencisë Pyjore të Kosovës – Ndërmarrja e Pyjeve në Prizren, t’i jepet në shfrytëzim Ministrisë së Drejtësisë.

Në fund, Qeveria ka nominuar tre përfaqësues të saj në Këshillin Konsultativ për Komunitete.

Vendimet janë marrë përmes mbledhjes elektronike të Qeverisë në detyrë. /Telegrafi/