Publikohen emrat e serbëve të lidhur me sulmin në Leipzig – ishin kapur me eksploziv

Bota

Hetuesit gjermanë kanë zbuluar detaje të reja rreth tentativës për sulm me dron ndaj një avioni ukrainas të transportit në aeroportin e Leipzigut, ndërsa gjurmët kryesore çojnë drejtpërdrejt në Serbi, shkruan e përjavshmja gjermane Spiegel, duke iu referuar burimeve nga qarqet e sigurisë. Njëri prej të dyshuarve për sulmin në Leipzigut lidhet me një person […]

Madhësia e shkronjave

Hetuesit gjermanë kanë zbuluar detaje të reja rreth tentativës për sulm me dron ndaj një avioni ukrainas të transportit në aeroportin e Leipzigut, ndërsa gjurmët kryesore çojnë drejtpërdrejt në Serbi, shkruan e përjavshmja gjermane Spiegel, duke iu referuar burimeve nga qarqet e sigurisë.

Njëri prej të dyshuarve për sulmin në Leipzigut lidhet me një person të arrestuar në Serbi në muajin qershor për posedim eksplozivi. Sipas Spiegel, policia serbe më 11 qershor ndaloi pranë kufirit me Hungarinë dy automjete që po udhëtonin drejt Bashkimit Evropian. Në to ndodheshin Danilo B., shtetas serbo-rus, dhe shtetasi serb Slobodan D.

Policët gjetën në automjetin e parë pjesë të një droni të modifikuar dhe pajisje kontrolli, ndërsa në automjetin e dytë, në një ndarje të fshehtë, zbuluan kanaçe të mbushura me eksploziv.

Të dy ndodhen në paraburgim që nga qershori. Autoritetet gjermane tani po hetojnë lidhjen e tyre të drejtpërdrejtë me të dyshuarit për operacionin në Leipzig – një shtetas bjellorus dhe një person me shtetësi të dyfishtë ruse dhe letoneze.

Hetuesit kanë rindërtuar gjithashtu lëvizjet e të dyshuarve dhe kanë zbuluar se njëri prej tyre, pas operacionit, u arratis në Rusi përmes Serbisë dhe Stambollit.

Për shkak të këtyre zhvillimeve, shërbimet evropiane të inteligjencës e konsiderojnë Serbinë një “pikë të nxehtë” për sabotazhet ruse në të gjithë Evropën, duke pretenduar se shërbimet ruse atje rekrutojnë dhe trajnojnë operativë për aksione në terren.

Hetuesve u ra menjëherë në sy metoda identike e përgatitjes së pajisjes. Në Leipzig, rreth 600 gramë eksploziv plastik shumë të fuqishëm, Semtex, ishte vendosur në një kuti metalike të lidhur me dronin, në të njëjtën mënyrë si eksplozivi i sekuestruar në kufirin serb.

Sulmi në Leipzig ndodhi më 4 gusht dhe vetëm falë rrethanave të rastësishme u shmang një katastrofë.

Një dron i pajisur me eksploziv fluturoi drejt aeroplanëve ukrainas të transportit Antonov, të parkuar në aeroport, dhe goditi pikërisht krahun e njërit prej avionëve. Megjithatë, pajisja shpërthyese nuk detonoi për shkak të një defekti në detonator.

Aeroplani që u godit kishte rezervuarët plot me karburant, ndërsa vetëm një ditë më parë kishte transportuar ndihma ushtarake dhe municion për Ukrainën.

Aeroporti i Leipzig/Halles është një nyje e rëndësishme logjistike për operacionet e NATO-s dhe transportin e armëve drejt Ukrainës.

Hetuesit kanë përcaktuar se droni i rrëzuar ishte modifikuar në mënyrë të konsiderueshme. Ai kishte një bateri shtesë për të rritur rrezen e fluturimit, kamerë, ruter 5G dhe dy karta SIM. Droni nuk kishte drita të jashtme dhe mund të kontrollohej nga distanca përmes rrjetit celular.

Në një pemë pranë vendit të ngjarjes u gjet gjithashtu një antenë speciale që shërbente për përforcimin e sinjalit.

Një kthesë në hetim sollën gjurmët e ADN-së të gjetura në dron, antenë dhe kutinë metalike ku ndodhej Semtex-i. Këto gjurmë u përputhën përmes bazave të të dhënave në Lituani dhe Finlandë.

Një prej të dyshuarve lidhet edhe me një sabotazh të mëparshëm në qytetin polak Loxh, ku në korrik 2024 u vu zjarr në një dyqan të madh të materialeve të ndërtimit, Leroy Merlin. Fillimisht u mendua se zjarri ishte shkaktuar nga insekticidet, por prokuroria polake më vonë dëshmoi se bëhej fjalë për një akt sabotazhi rus.

Sipas vlerësimeve të shërbimeve të ndryshme evropiane të inteligjencës, aktualisht në territorin e Bashkimit Evropian veprojnë të paktën katër rrjete sabotatorësh nën kontrollin e drejtpërdrejtë të Moskës.

Policia po verifikon gjithashtu nëse në operacionin në Lajpcig kanë marrë pjesë edhe dronë të tjerë. Po atë natë, një avion transporti i DHL-së goditi një objekt të panjohur fluturues gjatë uljes.

Për shkak të gjithë rastit, ministri i Brendshëm gjerman Alexander Dobrindt deklaroi publikisht se pas sulmit qëndrojnë drejtpërdrejt strukturat shtetërore ruse.

Berlini, si kundërpërgjigje, urdhëroi mbylljen e konsullatës ruse në Bon dhe dëbimin e stafit, si dhe ndërpreu marrëveshjen me Shtëpinë Ruse në Berlin.

Moska reagoi duke pretenduar se bëhet fjalë për një proces të montuar dhe provokim, ndërsa mbylli institutet gjermane Goethe-Institut dhe konsullatën në Shën Petersburg. /Telegrafi/