(E plotësuar) – Protestuesit kanë vendosur një tendë para objektit të Qeverisë së Kosovës të premten, në ditën e tretë të protestave të organizuara pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Mbi tendë është vendosur një pankartë me mbishkrimin: “Gjumi s’ka me ju marrë. Flaka ka me ju dalë”.
Qytetarë në pjesë të ndryshme të Kosovës po protestojnë duke kërkuar përgjegjësi institucionale për rastin e vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj, e cila u vra më 25 tetor.
Për këtë rast është arrestuar si i dyshuar ish-kunati i saj, Albert Sylaj. Ndërkohë, ditën e vrasjes, organet e rendit kishin ndaluar edhe ish-bashkëshortin e viktimës, Jeton Sylaj, pasi Zekaj e kishte denoncuar për mosrespektim të urdhrit mbrojtës.
Vetëm tri ditë para se të vritej, Zekaj i kishte dërguar një letër kryeprokurores së Pejës, duke e paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Rasti ka nxitur reagime të shumta dhe protesta në disa qytete të Kosovës, ku qytetarët po kërkojnë llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e viktimës.
Deri më tani, janë suspenduar kryeprokurorja e Pejës, një prokurore dhe 11 zyrtarë policorë. Po ashtu, drejtori i Policisë së Kosovës ka dhënë dorëheqje.
Përveç përgjegjësisë së organeve të drejtësisë dhe policisë, protestuesit po kërkojnë llogaridhënie edhe nga ekzekutivi, duke kërkuar dorëheqjen e ministrave të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme.
Dita e tretë e protestës për rastin e Arlinda Zekajt, tymues para Ministrisë së Drejtësisë
Protestuesit kanë hedhur mjete tymuese para objektit të Ministrisë së Drejtësisë në Prishtinë, duke kërkuar dorëheqjen e ministres Donika Gërvalla.
Gjatë protestës, qytetarët kanë brohoritur “Dorëheqje”, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Protesta në Prishtinë po mbahet për të tretën ditë me radhë, ndërsa qytetarët po kërkojnë drejtësi për Arlindën dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse.
Përveç kryeqytetit, protesta sot janë mbajtur edhe në Pejë dhe Mitrovicë, ndërsa një ditë më parë qytetarët protestuan edhe në Ferizaj.
Protesta për Arlinda Zekajn vazhdon në Prishtinë
Protesta për drejtësi dhe llogaridhënie institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt po vazhdon në Prishtinë.
Pas tubimit në sheshin “Zahir Pajaziti”, protestuesit janë nisur në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë, duke vazhduar marshin në kërkim të drejtësisë për Arlinda Zekajn dhe të gjitha gratë e vrara.
Protestuesit po kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave nga dhuna.
Sipas Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, protesta është shprehje e revoltës dhe solidaritetit kombëtar, nga Prishtina në Pejë dhe nga Mitrovica në Ferizaj.
“Protesta nuk ndalet derisa të vihet drejtësia në vend për Arlindën dhe për të gjitha gratë e vrara. Shteti duhet të japë llogari”, thuhet në mesazhin e kolektivit.