“Proces i komprometuar” – Rexha dhe Kusari kritikojnë nxitimin për përzgjedhjen e bordeve të RTK-së dhe KPM-së

Nacionale

Procesi i intervistimit për përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të RTK-së dhe KPM-së po vazhdon mes kritikave për mënyrën dhe afatet e ngushta të zhvillimit të tij. Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka thënë se procesi është duke u zhvilluar me probleme serioze dhe, sipas tij, tashmë është i komprometuar […]

Madhësia e shkronjave

Procesi i intervistimit për përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve të RTK-së dhe KPM-së po vazhdon mes kritikave për mënyrën dhe afatet e ngushta të zhvillimit të tij.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka thënë se procesi është duke u zhvilluar me probleme serioze dhe, sipas tij, tashmë është i komprometuar për shkak të mënyrës së organizimit dhe presionit për përfundim të shpejtë.

Sipas Rexhës, një pjesë e kandidatëve nuk janë paraqitur në intervista, ndërsa disa të tjerë janë njoftuar në mënyrë shumë të vonshme, madje edhe pas orës 22:00 të mbrëmjes.

Ai ka kritikuar gjithashtu edhe mënyrën e shqyrtimit të dosjeve dhe standardet e përdorura për përjashtimin e kandidatëve, duke theksuar se kjo bie ndesh me ligjin për RTK-në.

“Po vazhdon procesi i intervistimit të kandidatëve të bordit të RTK-së është i 21 kandidat aktualisht, disa prej tyre nuk janë paraqitur ka pasur një rast që njëri ka thënë se është në Gjermani, sepse është lajmëruar mbrëmë, dhe prej vërejtjeve tona dhe pse konsiderojmë që ky proces tashmë është komprometuar. Është pikërisht kjo nguti e jashtëzakonshme ky presion që i bëhet edhe administratës së Kuvendit për ta kryer pra këtë proces para 28 prillit. K pasur kandidat që janë lajmëruar mbrëmë rreth orës 22:00 që të vijën sot në intervista”, ka deklaruar ai në emisionin FIVE.

Edhe juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, ka kritikuar mënyrën e zhvillimit të intervistave, duke thënë se nuk është e mundur që brenda dy ditësh të intervistohen në mënyrë cilësore mbi 70 kandidatë.

Kusari ka theksuar se institucioni ka nevojë për drejtues që i rezistojnë ndikimeve politike, duke shtuar se pavarësia e RTK-së ka qenë gjithmonë e sfiduar, por sipas saj, situata aktuale është përkeqësuar.

“Nuk është e mundur për dy ditë me i intervistu në mënyrë kualitative më shumë se 70 kandidatë. Nuk është e mundur me kuptu një person çfarë vizioni ka çfarë planë ka për RTK-në, sepse nuk është një institucion që gjithçka e ka në rregull, dhe ka me vazhdu një menaxhim të mirë. RTK është problem kompleks me probleme të jashtëzakonshme, aty duhet reformë, dikush që është rezistencë ndaj ndikimeve politike”, ka deklaruar ajo.

Ajo ka kritikuar gjithashtu nxitimin për përmbylljen e procesit, duke e lidhur atë me presion politik për plotësimin e bordeve.

“Është e vërtetë që RTK asnjëherë politikisht i pavarur në tërësi nuk ka qenë. Por nuk k qenë kaq i kapur edhe kaq në presion sa është tash. Nxitimi i LVV-së është që patjetër këto borde të plotësohen, e kuptoj nevojën e të dyjave por jo me çdo kusht”, ka deklaruar Kusari.

Sipas saj, procesi duhet të pezullohet përkohësisht, në mënyrë që të krijohen kushte më të mira dhe kandidatët të kenë kohë të përgatiten, duke siguruar përzgjedhjen e më të mirëve për këto pozita.