Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ndarë Medalje Presidenciale të Meritave për Shoqërinë Kulturo-Artistike “Sofra Pejane”, në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të muzikës qytetare.
Sipas njoftimit, kjo medalje u jepet personaliteteve dhe ansambleve nga fusha e kulturës, artit dhe muzikës, të cilët kanë dëshmuar përkushtim të veçantë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, me synim forcimin e identitetit shtetëror përmes artit muzikor.

Në ceremoninë e organizuar nga Presidenca e Republikës së Kosovës, medaljen në emër të SHKA “Sofra Pejane” e pranuan këngëtari i njohur Ramadan Krasniqi, si dhe përfaqësuesit Fitim Behluli dhe kryetari i shoqërisë, Sadik Sadiku.
Përmes një reagimi publik, SHKA “Sofra Pejane” theksoi se kjo medalje i dedikohet qytetit, publikut dhe brezave që kanë ruajtur ndër vite traditën dhe vlerat e mirëfillta të kulturës.
“Këtë medalje ia dedikojmë qytetit tonë, fansave të këngëve tona dhe të gjithë brezave që kanë ruajtur ndër vite vlerat e këngës, artit, kulturës, bujarisë, mikpritjes dhe traditës sonë”, thuhet në reagim.
Ndërkohë, Presidentja Osmani ka bërë të ditur se një medalje e të njëjtës kategori do t’i ndahet edhe Përfaqësueses së Kosovës në futboll, në rast të një fitoreje në ndeshjen e sontme ndaj Turqisë.






