Porosia tjetër nga Kurti për Osmanin: S’është figurë konsensuale, s’i kemi borxh ta bëjmë Presidente

Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka bërë edhe postime të tjera ndaj presidentes Vjosa Osmani, në profilin e tij në Facebook.
Zulfaj, lidhur me situatën aktuale politike për zgjedhjen e presidentit të ri, ka thënë se Osmani ‘’ka qenë gjithmonë figurë partiake’’, dhe se, VV nuk ia ka ‘’borxh’’ Osmanit që ta bëjë presidente.
‘’Albin Kurti është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt që ka fituar mbi 51% të votave. Hapi i parë i tij ishte gjetja e një figure konsensuale, por kjo nuk u arrit, pavarësisht përpjekjeve për të siguruar një propozim nga opozita. Vjosa sot nuk përfaqëson një subjekt politik, por nuk është figurë konsensuale, pasi karrierën e saj e ka ndërtuar si pjesë e subjekteve politike’’, ka shkruar ai mes tjerash, përcjell Express.
Postimi:
2/5
Në historinë e pasluftës së Kosovës nuk kemi pasur asnjë rast kur pozita, pra koalicioni qeverisës, ka zgjedhur një president nga opozita.
Po ashtu duhet theksuar se në historinë e pasluftës së Kosovës nuk ka pasur kurrë rast kur një subjekt i vetëm fiton gjysmën e elektoratit, siç është rasti me Lëvizjen Vetëvendosje.
Kujtojmë se kur presidentë ishin Fatmir Sejdiu dhe Hashim Thaçi, të njëjtat subjekte politike kishin edhe ekzekutivin, pra e kishin pushtetin së bashku.
Madje nuk kemi pse të shkojmë aq larg. Në vitin 2021 koalicioni Vetëvendosje–Guxo kishte edhe qeverinë, edhe kryeparlamentarin, edhe presidencën. Ky është koalicioni që e bëri Vjosën presidente.
Vjosa ka qenë gjithmonë figurë partiake.
Zërat që thonë se nëse koalicioni qeverisës LVV–GUXO–Alternativa i merr tri pozitat kryesore kemi “pushtet absolut”, janë thjesht përpjekje për ta shtyrë opozitën në gabimin e radhës.
Historia na tregon se këto tri pozita, me përjashtim të presidentes Atifete Jahjaga, kanë qenë gjithmonë partiake dhe i ka pasur koalicioni fitues.
Risia që nga viti 2021 është se koalicioni qeverisës dominohet nga një fitore e madhe dhe historike e Lëvizjes Vetëvendosje.
Sot është i njëjti koalicion që, sikur më 2021, po propozon një kandidat tjetër për president nga radhët e veta. Kësaj here një kandidat që ka gëzuar konsensus si kryetar i Kuvendit dhe mbështetje të madhe popullore, madje edhe më të madhe se sa kishte Vjosa Osmani në zgjedhjet e vitit 2021.
Albin Kurti është kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt që ka fituar mbi 51% të votave. Hapi i parë i tij ishte gjetja e një figure konsensuale, por kjo nuk u arrit, pavarësisht përpjekjeve për të siguruar një propozim nga opozita.
Vjosa sot nuk përfaqëson një subjekt politik, por nuk është figurë konsensuale, pasi karrierën e saj e ka ndërtuar si pjesë e subjekteve politike.
Vjosa është figurë e nderuar, ish krye parlamentare dhe presidente dhe e denjë për çdo pozitë, por Vetëvendosje nuk ia ka borxh Vjosës ta bëjë presidente.