Policia u gjeti substanca narkotike gjatë kontrollit, privohen nga liria gjashtë persona në Shkup

Gjashtë persona janë privuar nga liria gjatë një kontrolli policor të realizuar natën mes 13 dhe 14 marsit në zonën e Karposhit në Shkup.

Sipas policisë, aksioni është kryer nga Njësia për Luftimin e Tregtisë së Paligjshme pranë SPB Shkup, në afërsi të një qendre sportive në këtë zonë.


Gjatë kontrollit janë verifikuar identitetet dhe janë kontrolluar gjithsej 33 persona. Në kuadër të operacionit janë arrestuar gjashtë persona: L.P. (42), S.N. (45), L.A. (43) dhe I.C. (37), të gjithë nga Shkupi, M.S. (33) nga Negotina dhe E.L. (21) nga Republika e Shqipërisë.

Gjatë kontrollit policia ka gjetur dhe sekuestruar substanca të ndryshme narkotike, përfshirë një material pluhur të bardhë, një substancë në formë gungash, marihuanë dhe një tjetër material pluhuror.

Autoritetet njoftuan se pas dokumentimit të plotë të rastit do të pasojnë kallëzimet përkatëse.