Një polic është plagosur rëndë mbrëmjen e kaluar në pikën kufitare Depce, në drejtim të Kosovës, ndërsa personi i dyshuar për sulmin ndodhet në arrati, transmeton preshevacom.
Lajmi është bërë i ditur nga Sindikata e Pavarur e Policisë së Vranjës, përcjell preshevacom, e cila njoftoi se incidenti ndodhi gjatë kryerjes së detyrës në zonën e Stacionit Policor në Preshevë.

“Sonte, në zonën e Stacionit të Policisë së Preshevës, në ZTP Depce, gjatë kryerjes së punës policore, kolegu ynë u plagos rëndë nga një person i kërkuar”, thuhet në njoftimin e tyre.
Sipas të njëjtit burim, ndihma e parë për policin e plagosur është dhënë menjëherë në vendngjarje nga kolegët e tij, ndërsa më pas ai është transportuar për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Sindikata e policisë ka falënderuar stafin e Qendra Shëndetësore në Preshevë, veçanërisht ekipin e emergjencës, si dhe personelin e Departamentit të Kirurgjisë në Vranjë, ku aktualisht po trajtohet polici i plagosur.
Autoritetet janë në kërkim të personit të dyshuar, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes mbeten ende nën hetim. /preshevacom/




