Patriarku Porfirije do të shërbejë në varrimin e Ratko Mlladiqit, vazhdojnë reagimet për nderimin e kriminelit në Serbi

Bota

Kisha Ortodokse Serbe ka njoftuar se të hënën, më 7 shtator, do të mbahet shërbesa mortore për Ratko Mlladiqin, ish-komandantin e Ushtrisë së Republika Srpska, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Në njoftimin zyrtar, Kisha Ortodokse Serbe e ka përshkruar Mlladiqin si “një të krishterë ortodoks dhe […]

Madhësia e shkronjave

Kisha Ortodokse Serbe ka njoftuar se të hënën, më 7 shtator, do të mbahet shërbesa mortore për Ratko Mlladiqin, ish-komandantin e Ushtrisë së Republika Srpska, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Në njoftimin zyrtar, Kisha Ortodokse Serbe e ka përshkruar Mlladiqin si “një të krishterë ortodoks dhe ushtar serb”, ndërsa ka bërë të ditur se ceremonia do të nisë në orën 12:00 në Kishën e Apostullit dhe Ungjilltarit të Shenjtë Luka në Koshutnjak të Beogradit.

Disa media në Beograd kanë raportuar se shërbesën pritet ta udhëheqë patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, megjithëse kjo nuk është specifikuar në njoftimin zyrtar të Kishës.

Pas shërbesës mortore, sipas njoftimeve të mëhershme, Mlladiqi pritet të varroset në varrezat Topçider në Beograd.

Ratko Mlladiqi vdiq më 27 gusht në Hagë, në moshën 84-vjeçare, derisa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm.

Ai ishte shpallur fajtor në vitin 2017 nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Dënimi i tij u la në fuqi në apel në vitin 2021.

Trupi i Mlladiqit u transportua nga Haga në Beograd me një avion të Qeverisë së Serbisë. Arkivoli i tij u prit me ceremoni ushtarake, ndërsa mënyra e trajtimit të tij pas vdekjes ka shkaktuar reagime të forta në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në Bashkimin Evropian.

Grupet e të mbijetuarve dhe familjarët e viktimave në Bosnje dhe Hercegovinë kanë kundërshtuar ashpër mundësinë që Mlladiqi të përcillet me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.

Mlladiqi ishte komandant i Ushtrisë së Republika Srpska gjatë luftës së viteve 1992–1995. Gjykata ndërkombëtare e gjeti përgjegjës, ndër të tjera, për gjenocidin e Srebrenicës të korrikut 1995, ku u vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem boshnjakë, si dhe për krime të kryera gjatë rrethimit të Sarajevës.

Reagimet për mënyrën se si po trajtohet vdekja e Mlladiqit kanë prekur edhe raportet e Serbisë me Bashkimin Evropian.

Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi, duke deklaruar se glorifikimi që ka shoqëruar vdekjen e Mlladiqit është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat ndërtohet rruga drejt anëtarësimit në BE.

Kos ka theksuar se rruga evropiane kërkon ballafaqim me të kaluarën, pajtim të mirëfilltë dhe respekt për viktimat e krimeve të luftës.

Pavarësisht vendimit të gjykatave ndërkombëtare, Mlladiqi vazhdon të glorifikohet nga pjesë të qarqeve nacionaliste në Serbi dhe Republika Srpska, gjë që prej vitesh shkakton reagime nga familjet e viktimave dhe organizatat ndërkombëtare.