Cristiano Ronaldo vazhdon të tregojë se familja zë një vend të veçantë në jetën e tij, edhe në momentet më të rëndësishme të karrierës sportive.
Sulmuesi portugez mban një dedikim prekës për fëmijët e tij në këpucët që përdor gjatë ndeshjeve.
Detaji tërhoqi vëmendjen pas paraqitjes historike të Ronaldos në Kupën e Botës 2026, ku ai u bë futbollisti i parë në histori që shënon në gjashtë edicione të ndryshme të Botërorit.
Fotografitë nga afër të këpucëve të tij rozë zbuluan emrat e pesë fëmijëve të tij, Cristiano Jr., Eva, Matteo, Alana dhe Bella të vendosur poshtë logos së Nike, si një simbol i lidhjes së fortë që ka me familjen.
Ronaldo është baba i pesë fëmijëve. Djali i tij i madh, Cristiano Jr., lindi në vitin 2010, ndërsa me partneren e tij, Georgina Rodriguez, ka vajzat Alana dhe Bella. Ai është gjithashtu prind i binjakëve Eva dhe Matteo.
Në vitin 2021, çifti njoftoi se priste një tjetër palë binjakësh. Në prill të vitit 2022 lindi Bella, ndërsa vëllai i saj binjak humbi jetën gjatë lindjes, një ngjarje që Ronaldo e përshkroi si dhimbjen më të madhe që mund të përjetojë një prind.
Edhe sot, ylli portugez vazhdon t’i mbajë pranë fëmijët e tij në mënyrën e vet të veçantë, duke i pasur emrat e tyre të stampuar në këpucët me të cilat shkruan histori në fushën e futbollit. /Telegrafi/






