Ballina Nacionale Pacolli thotë që s’ishte në dijeni që Murseli kishte kërkuar të komunikonte...

Pacolli thotë që s’ishte në dijeni që Murseli kishte kërkuar të komunikonte me të

3

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka thënë se nuk është në dijeni që i akuzuari Naim Murseli kishte kërkuar të komunikonte me të. Ai thotë se në rast se drejtësia e kërkon, do të pranonte.
Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, u bë e ditur se Murseli kishte kërkuar të kontaktonte me Pacollin, mirëpo kjo kërkesë i është refuzuar nga gjykata, me arsyetimin se është kategori e personave që nuk e lejon ligji.
I kontaktuar nga “Betimi për Drejtësi“, Pacolli u pyet nëse ka qenë i njoftuar për këtë kërkesë të Naim Murselit, por ai mohoi se është në dijeni për një kërkesë të tillë.
“Nuk di, nuk di fare, herën e parë po dëgjoj tash”, u shpreh Pacolli.
Ndërkaq, i pyetur se pse mendon se ka kërkuar Murseli një komunikim me të, ai u përgjigj sërish se nuk e di arsyen e kësaj kërkese.
“Nëse drejtësia më thërret, unë do të shkoja. Faleminderit për mirëkuptim”, ka thënë Pacolli.
Në pyetjen nëse Murseli ka ndonjë borxh tek ai, Pacolli tha se i kishte ndihmuar gjithmonë Murselit dhe se nuk kishte kërkuar t’ia kthente borxhin.
“I kam ndihmu gjithmonë atij. S’e kam kërku atë borxh mbrapa hiç. Po më duket ka mbet një borxh prej kur e ka ble një lokal përpara atje në Suedi. Sa unë e di komplet këto janë praktikisht gjëra që janë publike, të njohura”, u shpreh ai.
Në seancën e së mërkurës, vetë Murseli tha se ka ekzistuar një parakontratë borxhi mes tij dhe Pacollit, duke theksuar se borxhi është shlyer në mënyra tjera.
“Po, kjo është kontratë borxhi. E vërtetë në mes meje dhe zotit Pacolli shuma 100 mijë euro dhe thotë këtu ka normë interesi vjetor prej 0%, dhe nuk tregon afatin e shlyerjes së borxhit. Ka ekzistu por është shlyer në mënyra tjera”, deklaroi Murseli.
Pacolli përsëriti se nëse do të ftohej të takonte Murselin, do të pranonte nëse kjo gjë do të ishte në favor për diçka të mirë.
“Po nëse dikush më fton edhe nëse ajo ftesë shkon në favor të mirës diçka, nëse edhe koha më lejon do të shkoja pse jo”, deklaroi Pacolli.

- Reklamë -