Ish-presidentja Vjosa Osmani ka falënderuar qytetarët e Kosovës, mbështetësit dhe votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës për besimin e dhënë në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se angazhimi i saj do të mbetet i fokusuar në tejkalimin e krizës politike dhe ndërtimin e institucioneve.
Në një reagim publik, Osmani ka thënë se gjatë muajve të fundit ka takuar mijëra qytetarë në gjithë Kosovën dhe se shpresa e tyre për një vend më të zhvilluar dhe më të bashkuar ka qenë motivimi kryesor.
“Dëgjuam shqetësimet tuaja, ëndrrat tuaja dhe shpresën tuaj për një vend më të zhvilluar, më të integruar dhe më të bashkuar. Kjo shpresë ishte forca jonë më e madhe”, ka theksuar ajo.
Duke folur për rolin e saj pas zgjedhjeve, Osmani ka ritheksuar se nuk do të jetë pengesë për formimin e institucioneve të reja.
“Në këtë drejtim, e ritheksoj atë që e kam thënë disa herë: emri im as nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve”, theksoi Osmani.
Sipas saj, kontributi i saj do të jetë i përqendruar në tejkalimin e krizës politike dhe funksionalizimin e institucioneve.
“Përkundrazi, i gjithë kontributi im do të jetë i fokusuar vetëm në daljen nga kriza dhe ndërtimin e institucioneve të cilat mbrojnë shtetin, demokracinë, kushtetutën dhe aleancat”, ka deklaruar Osmani.
Në fund të mesazhit të saj, ajo ka theksuar se angazhimi për Kosovën do të vazhdojë.
“Ky rezultat nuk është fundi i një gare. Është vazhdimi i një misioni. Rruga vazhdon. Bashkë”, ka përfunduar Osmani.
Kujtojmë se mbrëmë pas publikimit të rezultateve preliminare, Osmani në një konferencë të përbashkët me Lumir Abdixhikun u shpreh se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arsye ta refuzojë kandidaturën e saj për një mandat tjetër në postin e presidentes së Kosovës. /Telegrafi/






