Një studim i publikuar në revistën shkencore PLOS Medicine sugjeron se jo vetëm kohëzgjatja, por edhe cilësia dhe fazat e gjumit mund të lidhen me rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve të ndryshme.
Studimi përfshiu 95.559 të rritur nga databaza britanike UK Biobank, shëndeti i të cilëve u ndoq për afro nëntë vjet.
Studiuesit zbuluan se një kohë më e gjatë në fazën REM të gjumit lidhej me rrezik më të ulët për 83 sëmundje.

Foto ilustruese
Çdo 47.6 minuta shtesë në këtë fazë u shoqëruan me 26 për qind rrezik më të ulët për insuficiencë kardiake dhe 46 për qind për demencë.
Gjithashtu, u vu re një lidhje me rrezik dukshëm më të ulët për parkinsonizëm.
Edhe gjumi i thellë u lidh me rrezik më të ulët për disa probleme shëndetësore, përfshirë diabetin e tipit 2, depresionin e rëndë dhe sëmundjen e Parkinsonit.
Në të kundërt, gjumi i çrregullt dhe zgjimet e zgjatura gjatë natës u shoqëruan me rrezik më të lartë për disa gjendje, përfshirë ankthin.
Sa i përket kohëzgjatjes, personat që flinin nga gjashtë deri në tetë orë në natë kishin rrezikun më të ulët për 69 sëmundje, teksa gjumi më pak se pesë orë lidhej me rrezik më të lartë për 37 sëmundje.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se rezultatet tregojnë lidhje statistikore dhe nuk provojnë se gjumi i dobët shkakton drejtpërdrejt sëmundje.
Për këtë arsye, nevojiten studime të tjera për të kuptuar më mirë marrëdhënien mes fazave të gjumit dhe shëndetit. /Telegrafi/





