“Nuk jam pedofil, të keni turp”, Trump ‘shpërthen’ në intervistë pas pyetjeve për sulmin dhe akuzat

Bota

Presidenti amerikan, Donald Trump, ‘shpërtheu’ ndaj një gazetareje për shkak se citoi fjalët që personi i akuzuar për sulm në darkën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se i kishte dërguar familjes së tij. Në një intervistë me gazetaren e “60 Minutes” , Norah O’Donnell, 79-vjeçarit iu prezantuan fragmente nga shpjegimi i Cole Tomas Allen, të […]

Madhësia e shkronjave

Presidenti amerikan, Donald Trump, ‘shpërtheu’ ndaj një gazetareje për shkak se citoi fjalët që personi i akuzuar për sulm në darkën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se i kishte dërguar familjes së tij.

Në një intervistë me gazetaren e “60 Minutes” , Norah O’Donnell, 79-vjeçarit iu prezantuan fragmente nga shpjegimi i Cole Tomas Allen, të cilin 31-vjeçari dyshohet se ia dërgoi familjes së tij pak momente para të shtënave.

“I ashtuquajturi manifest është një gjë mahnitëse për t’u lexuar, president”, tha O’Donnell.

“Duket se ai i referohet një motivi në të. Ai shkruan këtë citat, ‘zyrtarët e administratës, ata janë shënjestra’”, vazhdoi ajo.

O’Donnell më pas e pyeti presidentin për reagimin e tij ndaj fjalëve të Allen se ai “nuk ishte më i gatshëm të lejonte një pedofil, përdhunues dhe tradhtar të mbulonte krimet e tij”.

“Po prisja që ta lexonit këtë sepse e dija që do ta lexonit, sepse jeni njerëz të tmerrshëm”, tha Trump.

“Po, ai e shkroi këtë. Unë nuk jam përdhunues. Nuk kam përdhunuar askënd”, vazhdoi ai,

“Oh, a mendon se ai po ju referohej juve?”, pyeti O’Donnell, përpara se Trump ta ndërpriste.

“Nuk jam pedofil. Më falni. Më falni. Nuk jam pedofil. E lexuat atë koment nga një person i sëmurë. U lidha me gjëra që nuk kanë të bëjnë fare me mua. U lirova plotësisht nga akuzat. Miqtë tuaj në anën tjetër të çështjes janë ata që ishin të përfshirë, le të themi, me Epsteinin ose gjëra të tjera. Por i thashë vetes do ta bëj këtë intervistë dhe ata ndoshta do të më pyesin. Por duhet të turpëroheni që e lexoni këtë sepse unë nuk jam asnjë nga ato gjëra”, shtoi presidenti amerikan.

“Nuk duhet ta lexosh këtë në 60 Minutes. Turp. Por vazhdo. Le ta përfundojmë intervistën”, përfundoi Trump.

Ndryshe, presidenti është përballur me kritika të ashpra për lidhjet e tij të ngushta me pedofilin e ndjerë Jeffrey Epstein.

Një grua, e cila u intervistua nga FBI në vitin 2019, e akuzoi Trumpin për abuzim seksual me të kur ajo ishte 13 vjeç.

Trump ka mohuar me forcë çdo shkelje në lidhje me miqësinë e tij me Epsteinin dhe nuk është akuzuar për ndonjë krim. /Telegrafi/