Nis zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe automjetet – si funksionon dhe kush duhet të regjistrohet

Nga sot ka nisur zbatimi i Ligjit për të Huajt në Kosovë, i cili sjell rregulla të reja për qëndrimin e shtetasve të huaj dhe për përdorimin e automjeteve me targa të huaja në vend.

Sipas legjislacionit të ri, personat që nuk kanë dokumente të Kosovës do të duhet të pajisen me leje qëndrimi, ndërsa automjetet me targa të huaja nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e Kosovës për më shumë se tre muaj, ose në bazë të autorizimit.

Autoritetet kanë bërë të ditur se ligji parasheh edhe masa shtesë për regjistrimin e personave që jetojnë në Kosovë, ndërsa në disa raste mund të ofrohen leje të përkohshme qëndrimi deri në 12 muaj për personat që nuk kanë dokumente kosovare.

Sipas udhëzimeve dhe broshurave të publikuara nga Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës, që nga 16 marsi, kushdo që nuk ka dokumente të Kosovës, do të duhet të ketë një leje qëndrimi të përkohshme dhe t’i përmbushë kushtet tjera të përcaktuara me ligj, varësisht nga qëllimi i qëndrimit.

Një leje qëndrimi duhet të kërkohet brenda 72 orëve nga hyrja në Kosovë.

Gjithashtu, shtetasit e huaj mund të qëndrojnë në Kosovë deri në 90 ditë, dhe çdo qëndrim më i gjatë kërkon paraqitjen e kërkesës për leje qëndrimi.

Nëse dikush i shkel këto rregulla, autoritetet kompetente mund të marrin masa të përcaktuara me ligj, të cilat mund të përfshijnë revokimin e lejes së qëndrimit, vendosjen e gjobës, dëbimin ose ndalimin e hyrjes në territorin e Kosovës.

Ligji për automjete përcakton që një automjet me targa të huaja, përfshirë targat serbe, nuk mund të drejtohet për më shumë se tre muaj.

Nëse dikush nuk i përmbahet këtij ligji, policia mund të shqiptojë gjobë deri në 200 euro.

Zbatimi i këtij ligji është pjesë e përpjekjeve të institucioneve për rregullimin e statusit të shtetasve të huaj dhe të automjeteve me targa të huaja që qarkullojnë në Kosovë.

Ligji për të Huajt dhe rregullat për automjetet kanë qenë temë diskutimi në javët e fundit, veçanërisht për shkak të ndikimit që mund të kenë te disa komunitete që jetojnë në Kosovë. /Telegrafi/