Një person me inicialet Endrit Azemi është arrestuar nën dyshimin se ka mashtruar qytetarët në Kosovë dhe diasporë, duke pretenduar se vuante nga një sëmundje e rëndë dhe duke organizuar fushata për mbledhjen e parave për trajtimin e tij shëndetësor.
Përmes thirrjeve për ndihmë, sipas Prokurorisë, ai arriti të grumbullonte afro 190 mijë euro nga qytetarët.
Rastin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria Rajonale në Gjilan, e cila ka njoftuar se hetimet kanë nisur pas pranimit të informacioneve përmes rrugëve operative.
Sipas Policisë, Njësiti i Hetimeve Rajonale, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ka zhvilluar veprime hetimore nën dyshimin se i dyshuari ka trilluar se vuante nga një sëmundje e rëndë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
Dyshohet se ai kishte organizuar fushata për grumbullimin e mjeteve financiare në Kosovë dhe diasporë, kinse për trajtimin dhe rehabilitimin e tij shëndetësor. Mbledhja e parave ishte bërë edhe përmes platformës GoFundMe.
Pas hetimeve, llogaritë bankare të identifikuara në territorin e Kosovës janë bllokuar, ndërsa, me vendim të prokurorit të shtetit, paratë e grumbulluara do të mbeten të ngrira deri në një vendim të gjykatës.
Ndërkohë, Policia ka bërë të ditur se për fondet e mbledhura përmes platformës GoFundMe në Gjermani ka filluar procesi i rimbursimit të donatorëve.
I dyshuari është arrestuar më 21 nëntor 2026, ndërsa më 23 nëntor, Gjykata Themelore në Gjilan, me kërkesë të Prokurorisë, i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.
Në njoftimin e saj, Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë të hetojë çdo dyshim për keqpërdorim, duke vënë në pah rëndësinë e mbrojtjes së solidaritetit dhe humanizmit qytetar.
Sipas Policisë, keqpërdorimi i besimit të qytetarëve nuk duhet të cenojë gatishmërinë e tyre për të ndihmuar personat që kanë vërtet nevojë për mbështetje./Telegrafi/





