Një ambient nëntokësor i përshtatur për kultivimin dhe përpunimin e kanabisit është zbuluar nga Policia në Shkodër, ndërsa janë arrestuar 10 persona.
Gjatë kontrolleve në zonën e njohur si “Kanali i Drinit”, uniformat blu zbuluan një magazinë, brenda së cilës ishte kamufluar një hyrje që të çonte në një ambient nëntokësor. Ky ambient ishte ndarë në dy pjesë, njëra e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave dhe tjetra për përpunimin e lëndës narkotike.
Nga kontrollet u sekuestruan rreth 2 600 bimë të dyshuara k******, të kultivuara në vazo, si dhe 170 kilogramë lëndë narkotike e përpunuar, e ambalazhuar në 10 thasë plastikë.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”.
Në flagrancë u arrestuan 10 shtetas, të moshave 18 deri në 61 vjeç, banues në qytete të ndryshme të vendit.
“Të arrestuarit janë: K., 36 vjeçe, dhe M. P., 38 vjeçe, banuese në Gjirokastër; K., 61 vjeç, E. K., 41 vjeç, dhe R. D., 28 vjeç, banues në Cërrik; G., 37 vjeç, banues në Tiranë; L., 46 vjeç, banues në Poliçan; L., 18 vjeç, dhe A. T., 30 vjeç, banues në Ishull-Lezhë; T., 25 vjeç, banues në Mirditë.
Nga verifikimet ka rezultuar se njëri prej të arrestuarve, 46-vjeçari A. L., ishte shpallur më parë në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër”, njoftoi Policia e Shqipërisë.





