Kate Hudson dhe Javier Bardem kanë nisur xhirimet e komedisë së re romantike “Hello & Paris” në New York, ku më 23 qershor janë filmuar skenat e para në rrugët e qytetit.
Dy aktorët janë parë në set gjatë pasdites, ndërsa ekipi i filmit po realizonte skena për projektin që është paralajmëruar si një komedi romantike.

Hudson kishte veshur një fustan me motive lulesh dhe një shall rozë, teksa Bardem ishte me një xhaketë të çelët, këmishë të bardhë e pantallona blu.
Çifti është kapur teksa shkëmben një puthje pasionante dhe pamjet e këtij momenti janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.
Historia ndjek një arkitekte peizazhi të pavarur dhe një romancier të suksesshëm, të cilët pas një takimi të sikletshëm në Paris fillojnë të shkëmbejnë libra dhe receta mes dy kontinenteve.
Me zhvillimin e marrëdhënies, ata kuptojnë se zgjedhja për të mos mbetur vetëm mund të jetë më e vështirë sesa vetmia.
Filmi është nën regji dhe skenar të Elizabeth Chomko dhe është pjesërisht i frymëzuar nga romani “That Part Was True” i autores Deborah McKinlay.
Përveç Hudson dhe Bardem, në kastin e filmit “Hello & Paris” marrin pjesë edhe Steve Zahn, Phil Dunster, Gemma Chan, Aisling Bea dhe Marianne Jean-Baptiste. /Telegrafi/





