Edhe pse nuk ishte në gjendje të luante për shkak të një dëmtimi, Neymar vazhdoi të ishte një figurë e rëndësishme për Brazilin në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës kundër Marokut.
34-vjeçari u pa gjatë gjithë ndeshjes duke mbështetur me entuziazëm bashkëlojtarët e tij nga stoli, ndërsa Brazili po kërkonte të rikthehej në lojë pas golit të hershëm të Marokut.
Sipas pamjeve të publikuara nga stadiumi, Neymar iu drejtua ekipit edhe gjatë pushimit, duke iu thënë fjalë motivuese lojtarëve të Carlo Ancelottit në një moment të vështirë të takimit.
Pavarësisht mungesës së tij në fushë, prania e ish-kapitenit brazilian u ndje gjatë gjithë mbrëmjes, teksa ai vazhdoi të mbështeste skuadrën në përpjekjet për të marrë një rezultat pozitiv.
Përveç angazhimit me ekipin, Neymar tërhoqi vëmendje edhe jashtë fushës. Ylli brazilian u pa në shoqërinë e reperit të njohur amerikan, Travis Scott, me të cilin shkëmbeu biseda dhe realizoi fotografi gjatë eventit.
Megjithëse vazhdon të rikuperohet nga dëmtimi, Neymar mbetet një nga figurat më të rëndësishme në kampin brazilian, duke kontribuar me përvojën dhe lidershipin e tij edhe kur nuk mund të ndihmojë skuadrën në fushën e lojës. /Telegrafi/






