Në Strugë u festua Dita e Verës

Në Strugë sot u organizua për herë të parë festa e Ditës së Verës, një aktivitet që mblodhi në shesh të qytetit dhjetëra fëmijë dhe prindër. Me dekorime pranverore, muzikë dhe aktivitete argëtuese, atmosfera festive solli buzëqeshje tek më të vegjlit dhe krijoi një ditë të veçantë për familjet strugane.

Nga Komuna e Strugës u theksua se qëllimi i këtij organizimi është që kjo festë të kthehet në një traditë të përvitshme për qytetin.


“Përshëndes të gjithë prindërit. Sot uroj Ditën e Verës, një festë e cila ka qenë e kahershme. Shpresoj dhe besoj që nga sot kjo festë të jetë e përvitshme. Sigurisht kjo festë është simbolike dhe besoj se në vitet e tjera do të jetë edhe më e organizuar. Urime, festofshi dhe gëzofshi edhe më shumë.” – u shpreh Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra.

Prindërit që kishin sjellë fëmijët për të marrë pjesë në aktivitet u shprehën të kënaqur me organizimin, duke theksuar se një festë e tillë i gëzon shumë fëmijët.

“Fëmijët i kemi sjellë të argëtohen. Nuk ka pasur asnjëherë organizim kaq të bukur.” – tha një prind i intervistuar nga TVM2.
“Unë jam koreografe e fëmijëve te Art Center. Mendoj se komuna organizon festa shumë të bukura për festa të tilla. Fëmijët janë shumë të lumtur.” – u shpreh Koreografja e fëmijëve të Art Center, Fjolla Hajdari.

Fëmijët ishin ata që e shijuan më së shumti këtë festë, duke marrë pjesë në aktivitete të ndryshme argëtuese dhe artistike të organizuara për ta.

Sipas organizatorëve, përgatitja e këtij aktiviteti nuk ka qenë pa sfida, por bashkëpunimi institucional ka bërë të mundur realizimin e tij.

“Organizimi i ditës së sotme kishte pak vështirësi, sepse gjithë këtë dekor e kemi donacion nga Bashkia e Tiranës. Por kjo ditë e sotme na jep një motiv që ta organizojmë edhe më shpejt e më mirë në të ardhmen. Kryesisht qytetarët e kanë pritur shumë mirë dhe janë shumë të kënaqur, edhe pse më parë nuk e di nëse ka pasur një organizim të tillë.” – theksoi Drejtori i NP Komunale të Strugës, Resul Çollaku.

Organizatorët shprehen se në vitet e ardhshme kjo festë pritet të organizohet edhe më gjerësisht, duke u kthyer në një aktivitet tradicional për qytetin e Strugës. /tvm2