Mustafi: Lugina nuk është më fjali në fjalime, por linjë konkrete buxhetore e shtetit të Kosovës

Preshevë – Për vite me radhë, Lugina e Preshevës ka qenë vetëm pjesë e deklaratave politike dhe paragraf në fjalime zgjedhore, por jo pjesë konkrete e buxhetit shtetëror.

Kështu ka deklaruar Ragmi Mustafi, duke theksuar se ndryshimi ka ndodhur në vitin 2022, kur për herë të parë u ndanë 2 milionë euro si vendim zyrtar i shtetit të Kosovës.

Sipas Mustafit, ky ishte momenti kur Lugina u shndërrua nga simbolikë politike në përgjegjësi konkrete institucionale. “Për herë të parë, Lugina u bë linjë buxhetore.

Nga 2 milionë euro në vitin 2022, mbështetja është rritur gradualisht në 4 milionë euro dhe vazhdon edhe për vitin 2026.

Kjo nuk është retorikë, por realitet financiar dhe institucional,” ka theksuar ai.

Mustafi ka ngritur shqetësimin se pikërisht pas konkretizimit të kësaj mbështetjeje, po bëhen përpjekje për ta bllokuar atë përmes mekanizmave joformalë institucionalë në Serbi. “Jo përmes ligjit dhe jo përmes transparencës, por përmes një komisioni joformal ku përfshihen përfaqësues të Bankës Popullore të Serbisë, Ministrisë së Financave, Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Dialogun Social, si dhe Presidencës së Serbisë,” është shprehur Mustafi.

Ai ka vlerësuar se problemi nuk qëndron te shuma e mjeteve, por te fakti se Lugina nuk është më e padukshme në agjendën shtetërore të Kosovës. “Sot frika nuk është nga 2 apo 4 milionë euro. Frika është nga fuqizimi i shqiptarëve në Luginë dhe nga ndërkombëtarizimi i çështjes së tyre.

Kur shteti i Kosovës vepron, Lugina nuk është më e vetme,” ka përfunduar Mustafi. Sipas tij, mbështetja për Luginën tashmë është pjesë e përgjegjësisë kombëtare dhe nuk mund të trajtohet më si çështje simbolike.