Tre personat me prejardhje nga Kosova, të cilët ishin raportuar të zhdukur pasi ishin nisur nga Aeroporti i Shkupit drejt Kosovës, janë gjetur pa shenja jete në një automjet të përmbysur në rrugën nga pikëkalimi kufitar Bllacë drejt Shkupit.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik 2026, rreth orës 22:35, policia është njoftuar për një automjet të markës “Mercedes” me targa gjermane, i cili ishte përmbysur në këtë aks rrugor.
Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë zyrtarë policorë, të cilët kanë konstatuar se në automjet ndodheshin tre persona pa shenja jete – një mashkull dhe dy femra. Vdekjen e tyre e ka konfirmuar edhe një ekip i Ndihmës së Shpejtë Mjekësore.
MPB bën të ditur se më herët gjatë së njëjtës ditë, në ora 13:40, në Stacionin Policor Bit Pazar ishte paraqitur një shtetas i Kosovës, i cili kishte raportuar zhdukjen e tre personave.
Sipas raportimit, kontakti i fundit me ta kishte qenë më 18 korrik, rreth orës 22:15, kur ndodheshin në Aeroportin e Shkupit.
Ky zhvillim konfirmon tragjikisht rastin e tre personave të zhdukur, për të cilin familjarët kishin kërkuar ndihmë publike për lokalizimin e tyre.
Autoritetet nuk kanë bërë ende publik identitetin e viktimave, ndërsa pritet të zbardhen rrethanat e aksidentit dhe të përfundojnë procedurat hetimore. /Telegrafi/






