Gjatë një aksioni kontrollues të realizuar dje në territorin e Qytetit të Shkupit, policia ka shqiptuar 102 sanksione ndaj shoferëve që kanë drejtuar automjetet me shpejtësi më të madhe se e lejuara.
Sipas njoftimit të MPB-së, aksioni është zhvilluar më 11 tetor, nga ora 14:00 deri në orën 20:00, nga Njësia për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor.
Gjatë kontrolleve rrugore janë shqiptuar edhe tri masa të tjera për shkelje të Ligjit për Sigurinë e Komunikacionit Rrugor. Po ashtu, është sanksionuar një shofer që drejtonte automjet pa patentë shoferi, ndaj të cilit do të ngrihet edhe kallëzim penal sipas nenit 297-A të Kodit Penal.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se të gjithë shkelësit e rregullave të komunikacionit do të përballen me gjobat e parapara me ligj.
Kontrollet e komunikacionit do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa policia u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat dhe kufizimet e shpejtësisë, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë.






