Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave në Mal të Zi, Fatmir Gjeka, ka shpjeguar tre arsye, sipas tij, që qëndrojnë pas qasjes së Serbisë dhe presidentit Aleksandar Vuçiq ndaj Malit të Zi.
Në një intervistë për ETV, Gjeka tha se arsyeja e parë lidhet me tentativën e udhëheqjes serbe për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme politike dhe sfidat me të cilat përballet në vetë Serbinë.
Si arsye të dytë ai përmendi përpjekjet për të ngadalësuar ose penguar rrugën e Malit të Zi drejt integrimit në Bashkimin Evropian, ndërsa arsyeja e tretë, sipas tij, lidhet me ndikimin dhe radikalizimin e komunitetit serb në Mal të Zi.
“Beogradi zyrtar nuk po arrin ta imponojë politikën e tij në asnjërën prej këtyre drejtimeve”, u shpreh Gjeka.
I pyetur nëse Mali i Zi mund të përballojë presione dhe ndikime të tilla, ministri tha se është i bindur se kjo është e mundur.
“Jam i bindur se po. Tani është aleati ynë. Nuk jam i sigurt se mund të thuhet e njëjta gjë kur bëhet fjalë për regjimin në Beograd”, deklaroi ai. /Telegrafi/






