Mesfusha iberiane në qendër të vëmendjes: Spanja dhe Portugalia përballen për çerekfinale

Sport

Spanja dhe Portugalia do të përballen sot në një nga duelet më tërheqëse të fazës së 1/8 së finales në Kupën e Botës 2026, ndërsa vëmendja kryesore pritet të jetë te beteja në mesfushë. Dy përfaqësueset iberiane kanë në dispozicion disa prej mesfushorëve më cilësorë të futbollit botëror. Pedri, Rodri, Vitinha, Joao Neves, Bruno Fernandes […]

Madhësia e shkronjave

Spanja dhe Portugalia do të përballen sot në një nga duelet më tërheqëse të fazës së 1/8 së finales në Kupën e Botës 2026, ndërsa vëmendja kryesore pritet të jetë te beteja në mesfushë.

Dy përfaqësueset iberiane kanë në dispozicion disa prej mesfushorëve më cilësorë të futbollit botëror.

Pedri, Rodri, Vitinha, Joao Neves, Bruno Fernandes dhe Fabián Ruiz janë emra që e bëjnë këtë përballje të duket si një duel i vërtetë i elitës në qendër të fushës.

Pedri dhe Vitinha, dy yjet e brezit të ri

Pedri dhe Vitinha konsiderohen ndër mesfushorët më të vlerësuar të momentit. Mesfushori i Barcelonës, vetëm 23 vjeç, vlerësohet rreth 150 milionë euro, ndërsa Vitinha, 26-vjeçar, ka një vlerë prej afërsisht 140 milionë eurosh.

Pedri është një nga figurat kyçe të Spanjës së Luis de la Fuente. Ai është rikthyer në formacionin bazë dhe pritet të ketë rol vendimtar në organizimin e lojës, kreativitetin dhe kontrollin e ritmit të ndeshjes.

Në anën tjetër, Vitinha vjen pas një periudhe shumë të suksesshme me PSG-në, ku ka fituar dy tituj radhazi në Ligën e Kampionëve.

Megjithatë, paraqitjet e tij në Kupën e Botës nuk kanë qenë ende në nivelin e pritshëm, pasi në disa ndeshje është zëvendësuar herët nga trajneri Roberto Martínez.

Për Spanjën, dyshja Rodri-Pedri përfaqëson ekuilibrin ideal mes kontrollit dhe kreativitetit. Rodri, fitues i Topit të Artë për vitin 2024, po e rikthen gradualisht formën e tij më të mirë pas dëmtimit serioz që e penalizoi gjatë sezonit të kaluar.

Mesfushori i Manchester Cityt mbetet pika e referencës për lojën e Spanjës, me aftësinë e tij për të lexuar lojën, për të rikuperuar topa dhe për të ndërtuar aksionet nga prapa.

Pedri, ndërkohë, i jep Spanjës lëvizshmëri, teknikë dhe ide në zonat e avancuara. Ai pritet të jetë një nga lojtarët më të rëndësishëm në përpjekjen e spanjollëve për të çarë organizimin defensiv të Portugalisë.

Portugalia mund të mbështetet te Vitinha dhe Joao Neves, një dyshe që njihen shumë mirë nga koha e tyre te PSG-ja. Megjithatë, Roberto Martínez nuk i ka përdorur gjithmonë së bashku, pasi në disa ndeshje ka preferuar Ruben Neves për një rol më pozicional në mesfushë.

Joao Neves është një lojtar me intensitet të madh, energji dhe aftësi për të mbuluar shumë hapësira, ndërsa Vitinha është përgjegjës për qarkullimin e topit dhe krijimin e ritmit të lojës portugeze.

Alternativa të shumta në të dyja kampet

Spanja ka gjithashtu alternativa të rëndësishme si Fabián Ruiz, Mikel Merino, Dani Olmo dhe Martin Zubimendi. Fabián ka përvojë të madhe në ndeshjet e mëdha, ndërsa Merino dhe Zubimendi i japin trajnerit De la Fuente opsione të ndryshme në aspektin fizik dhe taktik.

Edhe Portugalia nuk mbetet pas. Bruno Fernandes vazhdon të jetë një nga liderët e skuadrës dhe një nga lojtarët më të rëndësishëm në fazën sulmuese. Mesfushori i Manchester United ka pasur një sezon të mirë dhe pritet të jetë vendimtar me pasimet e tij, goditjet nga distanca dhe lëvizjet mes linjave.

Bernardo Silva, pavarësisht se nuk ka qenë gjithmonë titullar në këtë turne, mbetet një tjetër armë e fortë për Portugalinë, falë teknikës dhe përvojës së tij në ndeshje të nivelit të lartë.

Spanja dhe Portugalia kanë cilësi të jashtëzakonshme në çdo repart, por dueli në mesfushë mund të jetë elementi që do ta përcaktojë skuadrën që do të sigurojë vendin në çerekfinale.

Rodri dhe Pedri në njërën anë, Vitinha, Joao Neves dhe Bruno Fernandes në anën tjetër – një përballje që premton futboll të nivelit të lartë. /Telegrafi/