Menaxheri i një picerie Domino’s në Virxhinia fitoi titullin “prodhuesi më i shpejtë i picave në botë”, kur mblodhi tre pica të mëdha në 31.22 sekonda.
Banor i Manassas, Richard Delcid, zuri vendin e parë në konkursin e prodhimit më të shpejtë të picave në botë të Domino’s në Las Vegas, duke fituar 5,000 dollarë çmime, një trofe dhe një rrip kampionati, transmeton Telegrafi.

Finalistët në konkursin e 13 majit duhej të bënin tre pica të mëdha: një me pepperoni, një me kërpudha dhe një me djathë. Picat e Delcid kaluan një inspektim që shqyrtonte se sa mirë e shtriu ai brumin me dorë, e shpërndau salcën dhe i shpërndau mbushjet, duke i fituar atij titullin me një kohë prej 31.22 sekondash.
“Fitimi i këtij titulli do të thotë shumë për mua”, tha Delcid në një njoftim për shtyp.
“Ky konkurs nuk ka të bëjë vetëm me shpejtësinë – ka të bëjë me ofrimin e cilësisë nën presion, ashtu siç bëjmë në dyqane çdo ditë. Vite të tëra pune dhe praktike u shpenzuan për këtë moment, dhe jam jashtëzakonisht krenar për atë që arrita. Jam veçanërisht mirënjohës ndaj trajnerit dhe kolegut tim konkurrent, Joe Burr, i cili më ndihmoi në çdo hap të rrugës – nuk do të isha këtu sot pa të”, shtoi ai.
Delcid tha se filloi në Domino’s kur motra e tij e punësoi në shkollën e mesme. /Telegrafi/




