Media Online fantazmë në Luginën e Preshevës – zgjohet vetëm kur ndahen paratë e buxhetit

Në hapësirën mediatike të Luginës së Preshevës po vazhdon një fenomen që prej vitesh kalon pothuajse pa u diskutuar publikisht: ekzistenca e disa portaleve që shfaqin aktivitet vetëm në periudha të caktuara, ndërsa gjatë pjesës më të madhe të vitit mbeten të heshtura.

Bëhet fjalë për faqe që në shumicën e kohës nuk prodhojnë lajme lokale, nuk trajtojnë çështje me interes për qytetarët dhe nuk publikojnë analiza apo artikuj informues për tema si shëndetësia, arsimi, teknologjia apo zhvillimet ekonomike në rajon, thuhet ne një investigim të realizuar nga Bujanoci.Net ku percjell shum media lokale të cilat egzistojn shumica në Facebook e shum pak si Webportale.

Megjithatë, sa herë afrohen fushatat zgjedhore ose shpallen konkurset për ndarjen e fondeve publike për media, këto portale “ringjallen”. Brenda pak ditësh ato fillojnë të publikojnë një numër të madh lajmesh, komunikatash dhe aktivitetesh politike, duke krijuar përshtypjen e një aktiviteti të vazhdueshëm mediatik.

Vëzhgimet në këtë hapësirë tregojnë se një pjesë e këtyre portaleve publikojnë përmbajtje që lidhen kryesisht me subjekte të caktuara politike ose me aktivitete që përkojnë me momentet kur institucionet vendore dhe organizatat shpërndajnë buxhete për projekte mediatike.

Por ky “aktivizim” zakonisht zgjat pak. Pasi përfundojnë proceset e ndarjes së fondeve ose periudhat zgjedhore, aktiviteti i tyre bie menjëherë. Në shumë raste, pas tre apo katër muajsh, këto faqe rikthehen në heshtje të plotë, pa prodhuar pothuajse asnjë përmbajtje të re.

Njohës të fushës së medias paralajmërojnë se kjo praktikë jo vetëm që dëmton besimin e publikut ndaj mediave, por gjithashtu ngre dyshime serioze për mënyrën se si përdoren fondet publike të dedikuara për informimin e qytetarëve.

Sipas tyre, fondet për media duhet të mbështesin redaksi që punojnë gjatë gjithë vitit, që raportojnë për problemet reale të qytetarëve dhe që kontribuojnë në edukimin dhe informimin e komunitetit.

Në një kohë kur qytetarët e Luginës së Preshevës kanë nevojë për media të forta dhe të pavarura, fenomeni i portaleve që aktivizohen vetëm kur ka interes financiar apo politik mbetet një problem serioz për transparencën dhe për cilësinë e informimit publik.

Për shumë qytetarë, pyetja që shtrohet është e thjeshtë: a po shkojnë fondet publike tek mediat që punojnë realisht për informimin e shoqërisë, apo tek portale që shfaqen vetëm kur hapen “rubinetat” e buxhetit?