Media kroate: Një pikë kthese në Ballkan, Vuqiç është gati të përdorë edhe skenarin më të errët

Bota

Ballkani Perëndimor po hyn në një vjeshtë politikisht të tensionuar, me Kosovën në një ngërç politik, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën para zgjedhjeve, ndërsa rajoni vazhdon të jetë në mes të interesave të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Rusisë, shkruan Telegrafi. Kështu e nis analizën media kroate “Jutarnji list”, duke vlerësuar se KFOR-i vazhdon të jetë […]

Madhësia e shkronjave

Ballkani Perëndimor po hyn në një vjeshtë politikisht të tensionuar, me Kosovën në një ngërç politik, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën para zgjedhjeve, ndërsa rajoni vazhdon të jetë në mes të interesave të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe Rusisë, shkruan Telegrafi.

Kështu e nis analizën media kroate “Jutarnji list”, duke vlerësuar se KFOR-i vazhdon të jetë një nga faktorët kryesorë për ruajtjen e stabilitetit në Kosovë dhe, rrjedhimisht, në rajon.

Media kroate rikujton deklaratat e muajit prill, kur pas një takimi në Zagreb kushtuar bashkëpunimit trepalësh Kroaci-Shqipëri-Kosovë ishte theksuar rëndësia e KFOR-it dhe stabilitetit të Kosovës për paqen rajonale.

Në qershor, sipas artikullit, nga Brukseli erdhi njoftimi se NATO do ta përshtaste gradualisht praninë e KFOR-it gjatë vitit të ardhshëm, duke marrë parasysh situatën e qëndrueshme të sigurisë. Megjithatë, Jutarnji shkruan se më pas situata pësoi tensione të reja.

Në këtë kontekst përmendet paralajmërimi për zvogëlimin e pranisë së KFOR-it në urën kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, çështje që ka nxitur reagime në Serbi. Po ashtu, përmenden rrënimet e objekteve në zonën e Liqenit të Ujmanit dhe deklaratat e presidentit serb Aleksandar Vuçiq për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit, shkruan Telegrafi.

Media kroate e lidh këtë retorikë edhe me faktin se Vuçiq tashmë ka hyrë në fushatë zgjedhore.

Jutarnji për krizën politike në Kosovë

Një pjesë e konsiderueshme e analizës i kushtohet zhvillimeve politike në Kosovë.

Media kroate shkruan se vendi ndodhet prej rreth 18 muajsh në krizë politike dhe përmend zgjedhjet e shkurtit 2025, ato të dhjetorit dhe zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar problemet e vazhdueshme me konstituimin e institucioneve.

Në artikull citohet edhe Azem Vllasi, i cili, duke komentuar qasjen e Albin Kurtit ndaj pushtetit, kishte thënë se Kurti “dëshiron të dominojë në pushtet sepse merr më së shumti vota në zgjedhje”.

Zgjedhjet e reja u mbajtën në dhjetor, Kurti fitoi shumicën, por tani ata nuk kanë arritur të zgjedhin një president të ri, gjë që kërkon 80 vota. Zgjedhjet e treta në gjashtëmbëdhjetë muaj u mbajtën më 7 qershor. Dhe asgjë nuk është zgjidhur, Kuvendi përsëri dështon të zgjedhë një udhëheqje dhe zgjedhjet e katërta në më pak se dy vjet janë të kërcënuara. Cirku që Kosova i paraqet botës është në një dritë të keqe për shkak të kokëfortësisë së Kurtit, shkruan ky medium kroat.

Megjithatë, sipas analizës, zgjedhjet eventuale të reja në Kosovë nuk pritet të kenë ndikim të madh në stabilitetin rajonal, pasi “KFOR-i garanton paqen”.

Vuçiq para zgjedhjeve dhe paralajmërimi për një skenar të rrezikshëm

Vëmendje e veçantë i kushtohet zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të paralajmëruara për 18 ose 25 tetor.

Sipas Jutarnjit, Vuçiq tashmë ka vënë në lëvizje aparatin institucional dhe mediatik për të siguruar fitoren e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), ndërsa pritet të jetë pjesë e listës së saj.

Analiza paralajmëron për një situatë potencialisht të rrezikshme nëse si pushteti, ashtu edhe opozita, shpallin fitoren pas zgjedhjeve dhe opozita pretendon se rezultati është manipuluar.

Sipas autorit, në një skenar të tillë nuk duhet përjashtuar mundësia që Vuçiq t’i akuzojë kundërshtarët se nuk po respektojnë standardet demokratike dhe të përdoret forcë për pengimin e protestave. Për këtë arsye, Jutarnji e konsideron veçanërisht të rëndësishme praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë, në veçanti atyre të BE-së.

Zgjedhjet në Bosnjë dhe Hercegovinë janë një tjetër pikë e rëndësishme e analizës. Jutarnji parashikon beteja të forta politike brenda të tri komuniteteve konstituive.

Opozita serbe synon ta largojë nga pushteti SNSD-në e Milorad Dodikut, ndërsa SDA synon rikthimin në pushtetin qendror. Në të njëjtën kohë, partitë kroate shpresojnë që këtë herë të arrijnë të zgjedhin kandidatin që ato e konsiderojnë përfaqësues legjitim kroat në Presidencën e Bosnjë e Hercegovinës.

Rusia synon ta ruajë ndikimin në Beograd dhe Banja Llukë

Analiza trajton gjithashtu përplasjen e interesave të fuqive të mëdha në Ballkan.

Sipas Jutarnjit, Rusia synon ta ruajë ndikimin e saj në Beograd dhe Banja Llukë, ndërsa Kina e sheh Serbinë si platformë për forcimin e pranisë së saj. SHBA-ja, nga ana tjetër, e ka vendosur stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe paprekshmërinë e kufijve të Bosnjë e Hercegovinës ndër prioritetet kryesore rajonale.

Në këtë kontekst përmendet edhe varësia energjetike nga Rusia, e cila, sipas një dokumenti të Departamentit amerikan të Shtetit të cituar nga Jutarnji, mbetet një dobësi strategjike për rajonin.

Për dallim nga Kosova, Serbia dhe Bosnja, media kroate vlerëson se situata në Mal të Zi është stabilizuar ndjeshëm, duke ia atribuar një pjesë të kësaj edhe anëtarësimit të vendit në NATO dhe perspektivës së integrimit në BE.

Në përfundim, analiza e Jutarnji list e paraqet vjeshtën e vitit 2026 si një periudhë të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor: Kosova përballet me ngërç institucional, Serbia me zgjedhje potencialisht të tensionuara, Bosnja me përplasje të forta politike, ndërsa NATO, BE-ja, SHBA-ja dhe Rusia vazhdojnë të kenë interesa të drejtpërdrejta në stabilitetin dhe orientimin e rajonit./Telegrafi/.