Pushteti është punë e madhe dhe e përgjegjshme. Pa marrë parasysh në ç’vend e ushtron: në provincë, në kasaba apo në oborr. Kush ka pushtet, ai duhet (është i thirrur) ta ushtrojë atë. Të marrë vendime. Për këtë fiton mandat nga populli. Herë me votë të lirë, herë me votë shumë të lirë (kjo vota shumë e lirë zakonisht është e blerë). Ka të tillë që kanë pushtet dhe s’dinë ç’të bëjnë me të. Ka të tillë që kanë pushtet dhe e dinë shumë mirë ç’të bëjnë me të: e keqpërdorin! (Ata që presin se këtu tani do të shfaqet një tufë kusarësh, toreadorësh, matadorësh dhe torerosh ballkanikë, mund ta ndërpresin leximin).
Friedrich Schiller, shkrimtar gjerman, u bazua në disa gojëdhëna skandinave dhe në një legjendë zvicerane kur e shkroi dramën Wilhelm Tell. Kjo dramë i kushtohet heroit kombëtar të Zvicrës, Wilhelm Tell. (Një digresion: te heroi kombëtar shqiptar, përveç Gjergj Kastriotit Skënderbeu, të rëndësishme janë shpata, përkrenarja dhe kali. Së paku).
Te heroi zviceran, përveç heroit kryesor (Tellit!), rol të rëndësishëm luan një kapele. Kapelja i përket sundimtarit, i cili quhet Hermann Gessler. Gessleri ishte në shërbim të Habsburgëve, një familje zvicerane, e cila pasi u grind me dajallarë e kushërinj helvetikë iku në Austri dhe nga atje ndërtoi një perandori të madhe. Krahas çokollatave, Habsburgët janë eksporti më i rëndësishëm i Zvicrës në botë.
Një ditë Gessleri u ndal në fshatin Altdorf të Zvicrës qendrore, nguli një hu gardhi dhe mbi të vendosi kapelen e tij. Kërkesa e tij ishte e qartë: kush kalon atypari, duhet ta përshëndesë kapelen. Sepse kapelja simbolizon pushtetin. Pushteti është Gessleri – madje edhe kur nuk është pranë kapelës.

Një ditë tjetër rebeli zviceran Wilhelm Tell kaloi nëpër mejdanin e Altdorfit, por nuk e përshëndeti fare kapelën, nuk i tha asaj “Grüezi” (ata që e kuptojnë dialektin e Zvicrës gjermane, e kuptojnë edhe këtë fjali; për ata që s’e kuptojnë: ky është versioni zviceran i fjalës kosovare “tung”, e cila tani është rehatuar edhe në Fjalorin e ri të Gjuhës Shqipe).
Pasi refuzoi ta përshëndeste kapelen e sundimtarit, Wilhelm Telli u arrestua dhe ditën tjetër u detyrua të qëllojë me shigjetë një mollë mbi kokën e djalit të tij. Me vete Telli kishte marrë edhe një shigjetë të dytë, të cilën e mbante të fshehur nën rrobat e tij. Kur Gessleri e pyeti se përse e kishte bërë këtë, Telli tha: shigjeta e dytë ishte paraparë për ta vrarë guvernatorin habsburgas, vetë Gesslerin, në rast se goditja e mollës do të dështonte.
Si çdo sundimtar brutal, edhe Gessleri u hakmor. Urdhëroi arrestimin e Tellit dhe kërkoi që ta dërgonin me varkë në fshatin Küssnacht për ta burgosur përjetë. Gjatë lundrimit, varkën e përlau një stuhi e fuqishme. Varkëtarët nuk dinin nga t’ia mbanin, s’e njihnin terrenin, s’dinin si të përballeshin me valët. Ia zgjidhën duart Tellit dhe i thanë të marrë drejtimin e varkës. Kur arriti bregun, ai kërceu mbi një shkëmb dhe me tërë forcën që kishte e shtyu varkën mbrapsht në valët e liqenit.
Për ata që mendojnë se këtu mbaron ky rrëfim: edhe pak durim. Pas kërcimit nga varka, Wilhelm Telli ia zuri pritën Gesslerit namkeq në një sokak të katundit Küssnacht. Aty e qëlloi tiranin me shigjetë mu në zemër.
Morali i këtij rrëfimi: keqpërdorimi i pushtetit – qoftë edhe me një kapele – mund të ketë pasoja. Fatale!
A ka ekzistuar Wilhelm Telli? Nuk ka dëshmi për këtë. Por zviceranët nuk e kanë problem këtë. Me rëndësi është se legjenda e Tellit e bart mesazhin e kryengritjes kundër tiranisë.
Në Altdorf, aty ku Telli (mbase fiktiv) nuk e përshëndeti kapelën e sundimtarit, sot qëndron një përmendore e heroit kombëtar të Zvicrës. Është zbuluar më 1895.
“Altdorfi është një qytezë e bukur, rrugët dhe rrugicat kryesore të së cilës japin një përshtypje mesjetare, ndonëse shtëpitë – siç shënohet rishtazi në çdo ndërtesë të vjetër – u dogjën të gjitha në vitin 1799. (Thuhet se zjarrfikësi, Albani, e shkaktoi vetë zjarrin pasi stuhia e erës ia nxori prushin nga llulla)”, shkruante shkrimtari zviceran Urs Widmer para disa viteve në gazetën Neue Zürcher Zeitung.
Një lustrim fantastik: prushi që del nga llulla e zjarrfikësit dhe shkakton zjarr. Ka qenë apo jo kështu? E parëndësishme. Edhe nëse është shpikje, është e bukur.
Vlen edhe për Tellin: ndonëse nuk ka dëshmi që ka ekzistuar, fama e tij ia futi frikën edhe Adolf Hitlerit. Më 3 qershor 1941 shtabi i përgjithshëm i Hilterit urdhëroi: “Fyreri (lideri nazist, v.j.) dëshiron që drama e Schillerit, Wilhelm Tell, të mos shfaqet më dhe të mos trajtohet më nëpër shkolla”. Diktatori nazist frikësohej se akti i Tellit mund të frymëzonte ndonjë gjerman për atentat ndaj tij.
Për dallim nga Telli me gjasë inekzistent, Perandoria e Habsburgëve ka ekzistuar. Mes viteve 1683-1699, ushtria e Habsburgëve depërtoi deri në Kosovë. Nuk arriti të qëndrojë gjatë, u mposht nga osmanët, të cilët do të sundonin edhe mbi 200 vjet në viset shqiptare. Afërsisht në atë kohë në koleksionet e Habsburgëve në kështjellën Ambras të Tirolit gjendeshin edhe disa portrete të Skënderbeut. Familja e Habsburgëve nga fundi i shekullit të 16-të bleu gjithashtu shpatën dhe përkrenaren e Skënderbeut, të cilat besohej se i kishin takuar heroit. Mund të thuhet kështu: pasardhësit e një familjeje zvicerane e ruajtën shpatën dhe përkrenaren e Skënderbeut. Shigjetën e Wilhelm Tellit s’mund ta ruanin. Ajo e vrau tiranin habsburgas.





