Marrëveshja me Danimarkën, mbyllet Qendra e Paraburgimit në Gjilan

Nacionale

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka njoftuar se ka filluar procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, pas njoftimit zyrtar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës. Sipas OAK-së, ky proces po zhvillohet në kuadër të zbatimit të Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e këtij objekti për ekzekutimin […]

Madhësia e shkronjave

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka njoftuar se ka filluar procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, pas njoftimit zyrtar nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Sipas OAK-së, ky proces po zhvillohet në kuadër të zbatimit të Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e këtij objekti për ekzekutimin e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet daneze.

“Nga Shërbimi Korrektues i Kosovës jemi njoftuar zyrtarisht se ka filluar procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Odës së Avokatëve të Kosovës.

Sipas njoftimit, tashmë ka nisur edhe transferimi gradual i personave të privuar nga liria nga kjo qendër drejt institucioneve të tjera korrektuese.

“Procesi do të zhvillohet në faza, në përputhje me vlerësimet e sigurisë, kapacitetet akomoduese dhe nevojat operative të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, ka bërë të ditur OAK.

Oda e Avokatëve të Kosovës u ka bërë thirrje avokatëve që përfaqësojnë persona të privuar nga liria, të cilët deri më tani kanë qenë të vendosur në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, që të verifikojnë paraprakisht lokacionin e ri të klientëve të tyre.

“Me qëllim të shmangies së vonesave procedurale dhe garantimit të ushtrimit efektiv të mbrojtjes, Oda e Avokatëve të Kosovës i njofton të gjithë avokatët që përfaqësojnë persona të privuar nga liria që deri më tani kanë qenë të vendosur në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan, të verifikojnë paraprakisht institucionin korrektues në të cilin ndodhen klientët e tyre”, thuhet në njoftim.

Sipas OAK-së, ky njoftim ka për qëllim informimin me kohë të komunitetit të avokatëve dhe lehtësimin e komunikimit me klientët gjatë periudhës së tranzicionit.

“Oda e Avokatëve të Kosovës do të vazhdojë t’i përcjellë të gjitha njoftimet zyrtare me interes për ushtrimin e profesionit dhe do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të mëtejmë lidhur me këtë proces”, përfundon njoftimi. /Telegrafi/