Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas vdekjes së Eqrem Kryeziut, ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit dhe një prej figurave të hershme të LDK-së.
Abdixhiku e ka cilësuar Kryeziun si një intelektual të shquar, veprimtar të brezit themeltar të LDK-së dhe shërbyes të përkushtuar të institucioneve të Kosovës.
“Kosova sot humbi një intelektual të shquar, një veprimtar të orëve të para dhe një shërbyes të përkushtuar të institucioneve të saj. Lidhja Demokratike e Kosovës humbi njërën prej figurave të saj më të rëndësishme, ndërsa Prizreni një prej personaliteteve që e përfaqësoi dhe e udhëhoqi me dinjitet”, ka shkruar Abdixhiku.

Sipas tij, Kryeziu ishte pjesë e brezit themeltar të LDK-së dhe bashkëpunëtor i afërt i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.
“Profesor Eqremi ishte pjesë e brezit themeltar të LDK-së dhe bashkudhëtar i palëkundur i Presidentit Rugova. Për më shumë se dy dekada udhëhoqi Degën e LDK-së në Prizren, shërbeu si nënkryetar i parë i LDK-së, deputet e kryetar i Komunës së Prizrenit në vitet e para e më të vështira të lirisë”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku ka vlerësuar edhe kontributin e Kryeziut në arsim dhe politikë, duke e përshkruar atë si një intelektual me mendim të lirë dhe karakter të veçantë.
“Ishte profesor, intelektual e veprimtar politik me mendim të lirë, fjalë të drejtpërdrejtë dhe karakter të veçantë. LDK-së i dha vite të tëra angazhimi, besnikërie dhe shërbimi; Kosovës i shërbeu në arsim, në politikë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike”, ka shkruar kreu i LDK-së.
Në fund, Abdixhiku ka shprehur ngushëllime për familjen Kryeziu, miqtë, bashkëpunëtorët dhe qytetarët e Prizrenit.
“Profesor Eqrem, faleminderit për gjithë kontributin dhe gjurmën që le pas. Pusho në paqe! I përhershëm qoftë kujtimi për ty!”, ka përfunduar Abdixhiku. /Telegrafi/





