Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut barazoi 0-0 ndaj Irlandës në “Aviva Stadium” në Dublin, në një miqësore mes dy ekipeve që u eliminuan në gjysmëfinalet e Play-Off-it evropian për një vend në Botërorin 2026, njofton Telegrafi.
Përzgjedhësi Goce Sedloski u dha hapësirë plot 21 futbollistëve, por sikurse edhe në Kopenhagë, sulmi mbeti pa ide dhe konkretizim, duke regjistruar vetëm një goditje në kuadratin e portës.

Në formacionin titullar, Sedloski aktivizoi Fetaun, Velkovskin, Alimin dhe Kostadinovin, ndërsa edhe Irlanda bëri disa ndryshime krahasuar me ndeshjen e fundit. Takimi nisi i kujdesshëm, me rastin e parë që erdhi nga Ogbene, por përpjekja e tij përfundoi mbi portë. Pasuan goditje të lira nga Bardhi dhe Parrott, por pa rrezik serioz për portierët.
Në pjesën e dytë, në lojë u inkuadruan Ristovski, Serafimov dhe Musovski, por Irlanda e nisi më agresivisht. Rreth minutës së 60-të, Sedloski bëri disa zëvendësime të tjera, duke aktivizuar Nikollovin, Ramadanin, Dorievin dhe Stankovskin. Megjithatë, loja vazhdoi të dominohej nga vendasit, ndërsa një moment i pafat ishte lëndimi i menjëhershëm i Reshat Ramadanit, i cili u detyrua të largohej pak pasi hyri në fushë.
Rasti i fundit i madh i takimit erdhi në kohën shtesë, kur Kenny provoi, por goditja e tij u ndal nga Dimitrievski, duke vulosur barazimin pa gola.
Aktivitetet e radhës për përfaqësuesen e Maqedonisë do të jenë në muajin qershor, kur do të zhvillojë dy ndeshje miqësore. /Telegrafi/






