Kush është Sarah Jukaku, bashkëshortja e Abdul El-Sayed që u vu në shënjestër të Trumpit për shkak të hixhabit?

Magazina

Abdul El-Sayed u bë muslimani i parë i zgjedhur në Senatin amerikan, ndërsa gjatë fushatës zgjedhore vëmendje të veçantë mori edhe bashkëshortja e tij, Sarah Jukaku. Psikiatrja, me të cilën është i martuar prej 20 vitesh, u bë pjesë e debatit publik pasi u shënjestrua nga Donald Trump për shkak të hixhabit që mban. Ajo […]

Madhësia e shkronjave

Abdul El-Sayed u bë muslimani i parë i zgjedhur në Senatin amerikan, ndërsa gjatë fushatës zgjedhore vëmendje të veçantë mori edhe bashkëshortja e tij, Sarah Jukaku.

Psikiatrja, me të cilën është i martuar prej 20 vitesh, u bë pjesë e debatit publik pasi u shënjestrua nga Donald Trump për shkak të hixhabit që mban.

Ajo gjithashtu u përball me kritika lidhur me punën e saj në praktikën private.

El-Sayed mposhti të martën kandidatin republikan Mike Rogers në garën për Senatin në Michigan, ndërsa Associated Press e shpalli fitoren e tij të mërkurën në mëngjes.

Gjatë gjithë fushatës, pranë tij ishte Sarah Jukaku, e cila deri këtë vit ishte mbajtur kryesisht larg vëmendjes publike.

Dashuria që nisi në universitet

Çifti u njoh në Universitetin e Michiganit. Sipas portalit Heavy, El-Sayed i propozoi martesë Sarahs kur ai ishte në vitin e tretë të studimeve, teksa ajo në vitin e parë.

Ata u martuan në vitin 2006, kur ende ishin studentë, dhe sot janë prindër të dy vajzave, Emmalee dhe Serene. Familja jeton në Ann Arbor.

Jukaku përfundoi studimet e mjekësisë në Universitetin Columbia dhe mori një diplomë master në Universitetin e Oksfordit.

Ajo punoi në një pozitë drejtuese në departamentin e psikiatrisë në Spitalin e Universitetit të Michiganit, ndërsa në vitin 2024 hapi praktikën e saj private në Ann Arbor, raportoi Washington Free Beacon.

Prindërit e saj janë shpërngulur në SHBA nga India. Sipas portalit American Bazaar, familja e ka origjinën nga qyteti Bhatkal, në shtetin indian Karnataka, ku gjyshi i saj ishte i njohur për kontributin në zhvillimin e zonës.

Edhe babai i Sarahs është mjek.

Fotografia që nxiti reagimin e Trumpit

Sarah Jukaku mori vëmendje të madhe publike në gusht, pasi El-Sayed fitoi zgjedhjet paraprake brenda Partisë Demokratike.

Në atë kohë, Donald Trump publikoi në rrjetin Truth Social dy fotografi krah për krah, njërën ku shfaqej me bashkëshorten Melania dhe tjetrën ku ishte El-Sayed me Sarah-n, e cila mbante hixhab.

Mbi fotografitë vendosi mbishkrimin: “Dy Amerika shumë të ndryshme”.

Në të njëjtin postim, Trump iu referua kandidatit demokrat me emrin e plotë Abdulrahman Mohamed El-Sayed. Kjo u cilësua nga shumë media dhe politikanë si islamofobik.

El-Sayed reagoi gjatë një interviste në emisionin “State of the Union” të CNN-it, ku foli edhe për marrëdhënien me bashkëshorten e tij.

“Sarah dhe unë në fakt e duam njëri-tjetrin. Nuk e di si është puna me zonjën e parë dhe presidentin, por, nga sa kam dëgjuar, marrëdhënia e tyre është mjaft e lëkundur”, u shpreh ai, transmeton The National.

Pas fitores, El-Sayed e festoi rezultatin së bashku me bashkëshorten. Në mbrëmjen zgjedhore në Detroit, ai e përqafoi Sarahn në skenë para mbështetësve të tij, moment ky i dokumentuar edhe nga fotografët e agjencisë Reuters. /Telegrafi/

Komentet