Kurti: Serbia s’e ka dorëzuar dokumentacionin kadastral pavarësisht marrëveshjes së vitit 2011

Nacionale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se Serbia nuk ia ka dorëzuar Kosovës dokumentacionin kadastral, pavarësisht marrëveshjes së arritur në vitin 2011. Në fjalimin që e ka mbajtur në ceremoninë përmbyllëse të projektit PIAKOS, të organizuar nga ATRC dhe Banka Botërore, Kurti ka thënë se Serbia nuk ka dorëzuar asnjë kopje të dokumentacionit. “Janë […]

Madhësia e shkronjave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se Serbia nuk ia ka dorëzuar Kosovës dokumentacionin kadastral, pavarësisht marrëveshjes së arritur në vitin 2011.

Në fjalimin që e ka mbajtur në ceremoninë përmbyllëse të projektit PIAKOS, të organizuar nga ATRC dhe Banka Botërore, Kurti ka thënë se Serbia nuk ka dorëzuar asnjë kopje të dokumentacionit.

“Janë bërë më shumë se 15 vjet që Serbia nuk na ka dorëzuar dokumentacionin kadastral, edhe pse marrëveshja ndërshtetërore është nënshkruar me datë 2 shtator 2011. Pra, në muajin e kaluar janë bërë 15 vjet që Bashkimi Evropian u ka dhënë 2 milionë euro donacion, e ata s’na e kanë dorëzuar as kopjen e dokumentacionit kadastral, se le më origjinalin”, ka thënë Kurti.

Ai po ashtu ka thënë se rregullimi i dokumentacionit pronësor nuk është vetëm çështje administrative, por edhe kusht për qasjen në mbështetjen publike, përfshirë programet e renovimit dhe rindërtimit të shtëpive, si dhe banimin social.

“Mund të duket si çështje administrative, por për një person apo familje, rregullimi i dokumentacionit të pronës është parakusht kryesor, i cili hap mundësinë e mbështetjes publike, qoftë për renovimin e shtëpisë, rindërtimin e saj apo programet tona të përfshirjes në banimin social adekuat. Qeveria ka ndërmarrë reforma konkrete në pronë dhe kadastër. Në bashkëpunim me Bankën Botërore, përmes projektit REGIP, kemi shtyrë përpara rindërtimin e kadastrit në 115 zona kadastrale në gjithë Kosovën. Po punojmë me ngulm dhe me mbikëqyrje të rreptë që ky projekt të përmbushë të gjitha obligimet e planifikuara me kohë, në mënyrë që qytetarët t’i zgjidhin problemet e grumbulluara ndër shumë vite”, ka thënë Kurti. /Telegrafi/