Projekti PIAKOS i Qendrës për Avokim dhe Trajnime (ATRC) ka përfunduar, duke vënë në pah rëndësinë e të drejtës së pronës, sigurisë juridike dhe fuqizimit ekonomik të grave në Kosovë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se regjistrimi i pronave në emër të të dy bashkëshortëve është rritur 300-fish në më pak se një dekadë.
“Në vitin 2016, në tërë Kosovën, kanë qenë rreth 100 prona të regjistruara në emrin e të dy bashkëshortëve, ndërsa sot që po flasim kjo shifër është rreth 31 mijë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se dokumentacioni i pronësisë garanton siguri juridike, ndërsa pronësia e regjistruar krijon mundësi më të mira për qasje në programe mbështetëse qeveritare dhe financim.

Sipas tij, prona mund të përdoret si kolateral, në përputhje me kushtet përkatëse, për hapjen e një biznesi, zgjerimin e veprimtarisë ekzistuese apo realizimin e investimeve.
Kurti ka vlerësuar se regjistrimi i pronës në emër të grave është një hap konkret drejt barazisë dhe pavarësisë së tyre ekonomike.
“Regjistrimi i pronës në emër të grave është një hap konkret drejt barazisë dhe pavarësisë së tyre ekonomike, sepse u mundëson atyre ta dëshmojnë dhe ta mbrojnë pronësinë, të marrin pjesë në vendimmarrjen për pasurinë dhe ta shfrytëzojnë atë për nevojat dhe planet e tyre”, ka deklaruar ai.
Kreu i Qeverisë në detyrë ka theksuar se regjistrimi i pronës individuale dhe i pronës së përbashkët në emër të të dy bashkëshortëve është pjesë e politikave për fuqizimin e grave, krahas punësimit dhe mbështetjes së ndërmarrësisë.
Drejtori ekzekutiv i ATRC-së, Kushtrim Kaloshi, ka thënë se e drejta e pronës nuk lidhet vetëm me dokumentet dhe procedurat administrative, por edhe me sigurinë familjare, pavarësinë ekonomike dhe barazinë e qytetarëve.
“Kur flasim për të drejtën e pronës, nuk flasim thjesht për dokumente nuk flasim për parcela, nuk flasim për procedura administrative. Është çështja është më e thellë se kaq. Flasim për sigurinë e një familje, flasim për pavarësinë ekonomike të një familje, të një gruaje, mundësitë e një të riu, dhe mbi të gjitha, për dinjitetin dhe barazinë e një qytetari. Edhe këto i kemi parë nga aktivitetet dhe përvoja jonë në terren. Për më shumë qytetarë të Kosovës, veçanërisht për gratë, komunitetet jo shumicë dhe grupet e cenueshme, realizimi i të drejtave pronësore vazhdon të përballet me mungesë të informacionit, dhe për këtë arsye edhe kemi bërë fushatën e informimit dhe vetëdijësimit”, u shpreh ai.
Kurse menaxherja e projektit PAKOS në ATRC, Odeta Noks, ka bërë të ditur se gjatë zbatimit trevjeçar të projektit janë mbështetur mbi 7 mijë familje në Kosovë, ndërsa më shumë se 600 zyrtarë janë trajnuar për çështjet që lidhen me të drejtat pronësore.
“Projekti ka zgjatur tri vjet dhe ka pasur një buxhet prej 3.2 milionë dollarësh, shumë e cila është shpërndarë në organizatat e shoqërisë civile, gjithashtu edhe në biznese të ndryshme të Kosovës, të cilat kanë marrë pjesë në implementimin e këtij projekti. Pra, kanë qenë më shumë se 7,000 familje, përfshirë edhe përfaqësues të shoqatave të të verbërve dhe shurdhmemecëve të Kosovës. 50% e këtyre familjeve, jemi siguruar që të kemi kuotë gjinore, pra më shumë se 50% kanë qenë gra. Kemi pasur një shifër shumë të lartë të aktiviteteve informuese, e cila ka mbërritur në 1,800 aktivitete informuese”, ka thënë Odeta Noks, menaxhere e projektit PAKOS në ATRC.
Në kuadër të aktivitetit është shfaqur edhe dokumentari “Bëje tënden. Regjistroje pronën”, përmes të cilit janë prezantuar funksionet, aktivitetet, përfituesit dhe rezultatet e projektit. /Telegrafi/





