Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka falënderuar qytetarët për, siç tha ai, procesin e rregullt dhe demokratik zgjedhor, duke theksuar se vullneti i qytetarëve duhet të respektohet dhe të përkthehet në institucione funksionale.
Kurti tha se kjo ishte mbledhja e parë e Qeverisë që po mbahet fizikisht pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
“Kjo është mbledhja e parë që po takohemi fizikisht pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Më lejoni t’i falënderoj qytetarët për procesin e rregullt dhe demokratik zgjedhor. Kosova nuk kishte nevojë për këto zgjedhje dhe ky rezultat e dëshmon këtë, të cilën e kemi thënë në mënyrë të përsëritur”, deklaroi ai.

Sipas kryeministrit në detyrë, rezultati, verdikti i qytetarëve duhet të pranohet dhe të respektohet, ndërsa institucionet e ardhshme duhet të jenë të përkushtuara ndaj zhvillimit dhe mirëqenies së vendit.
“Qytetarët folën qartë. Rezultati duhet të pranohet dhe respektohet, ndërsa vullneti i popullit të zbatohet dhe të përkthehet në institucione funksionale dhe demokratike, të angazhuara dhe të përkushtuara për zhvillim e mirëqenie, arsim e shëndetësi, siguri e mbrojtje, industri dhe prodhim”, u shpreh Kurti.
Ai bëri të ditur se pas certifikimit të rezultateve zgjedhore do të fillojnë diskutimet për formimin e institucioneve të reja të vendit.
“Porsa të certifikohet rezultati i zgjedhjeve, do të nisim punën dhe diskutimet për formimin e institucioneve të reja, konstituimin e legjislaturës së 11-të të Kuvendit, formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit apo presidentes”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë gjatë mbledhjes foli edhe për rastin tragjik, ku dy motra humbën jetën në një aksident në Gjermani dhe rastin tjetër, ku një i ri humbi jetën në vendin e tij të punës në Prizren.
Ai po ashtu ngushëlloi familjet Zubaku e Morina për humbjen e familjarëve të tyre.
“Jam thellësisht i pikëlluar nga vdekja tragjike e tre të rinjve tanë në dy raste të ndryshme ditëve të fundit. Motrat Erza dhe Aulona Zubaku në një aksident në Gjermani dhe Valmir Morina në vendin e tij të punës në Prizren. Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta…”, tha Kurti. /Telegrafi/





