Drejtori ekzekutiv i Atletico Madridit, Gil Marin, ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar rreth të ardhmes së Julian Alvarez, duke bërë të qartë se sulmuesi argjentinas nuk do të transferohet te Barcelona.
Marin ka akuzuar klubin katalunas për mungesë transparence dhe profesionalizmi, duke theksuar se drejtuesit e Atleticos janë të zemëruar me mënyrën se si është trajtuar situata.
“Jemi edhe më të zemëruar. Na kanë revoltuar gënjeshtrat, mungesa e transparencës dhe profesionalizmit të Barçës”.
Ai më pas dha një përgjigje të prerë lidhur me mundësinë e transferimit të Alvarezit në “Camp Nou”.
“Julian Alvarez nuk do të transferohet te Barça. Ju jap fjalën time”.
Megjithatë, Gil Marin ka bërë të ditur se Atletico mund të jetë i hapur për shitjen e sulmuesit, por jo drejt rivalit nga La Liga.
“Ëndrra ime është që Julian të qëndrojë te Atletico, nëse ai dëshiron. Nëse dëshiron të largohet, do të kërkojmë një alternativë, por kurrë Barcelonën”.
Drejtuesi i klubit madrilen shtoi gjithashtu se Alvarez nuk është mirë me situatën e krijuar dhe se është shumë i mërzitur nga njerëzit që, sipas tij, e kanë mashtruar dhe e kanë ngatërruar.
“Julian nuk është mirë, është shumë i mërzitur sepse ka pasur njerëz që kanë marrë përsipër ta mashtrojnë dhe ta ngatërrojnë”.
Në fund, Gil Marin përsëriti qëndrimin e prerë të Atletico Madridit: “Nuk do të negociojmë me Barcelonën. Vendimi është përfundimtar”. /Telegrafi/






