Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka shprehur ngushëllime për familjen e pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Altin Kryeziu, i cili ndërroi jetë pas plagëve të marra në një aksident të ndodhur ditë më parë në krye të detyrës.
Përmes një telegrami ngushëllimi, Kastrati ka thënë se vdekja e Kryeziut është një humbje e madhe për familjen e tij, por edhe për Policinë e Kosovës.

“Humbja e Altinit është një dhimbje e madhe për familjen dhe një humbje për institucionin e Policisë së Kosovës, të cilit ai i shërbeu me përkushtim dhe profesionalizëm”, ka shkruar Kastrati.
Ai ka shprehur ngushëllime për familjen Kryeziu, kolegët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e policit.
“Në këto momente të vështira, jemi pranë familjes së tij, duke ndarë dhimbjen dhe pikëllimin për këtë humbje të rëndë”, ka deklaruar kryetari i Malishevës.
Kastrati e ka përmbyllur mesazhin me fjalët: “I përjetshëm qoftë kujtimi për Altin Kryeziun.” /Telegrafi/





