Kryetari i Bujanocit kërkon lehtësira për qytetarët e Luginës në zbatimin e ligjeve të Kosovës

Kryetari i komunës së Bujanoc, Arbër Pajaziti, ka përshëndetur vendimet e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjetet, duke theksuar se ato janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat që zbatohen në shtete ku sundon rendi dhe ligji.

Në një komunikatë të shpërndarë për publikun, Pajaziti tha se “deri më tani, mungesa e rregullimit ligjor ka bërë që liria e lëvizjes në disa raste të keqpërdoret nga individë apo grupacione të caktuara, që kanë shërbyer për mbajtjen gjallë të disa strukturave dhe sistemeve paralele në Kosovë”. Ai e cilësoi vendosjen e rregullave të qarta ligjore si një hap të domosdoshëm për funksionimin normal të shtetit dhe për ruajtjen e rendit institucional, citon Bujanoci.Net.

Megjithatë, kryetari shprehu shqetësim për qytetarët shqiptarë të Luginës së Preshevës, të cilët kanë lidhje të veçanta me Kosovën – shpirtërore, familjare, arsimore dhe ekonomike. “Një numër i madh qytetarësh jetojnë, punojnë apo studiojnë në Kosovë, dhe lëvizja e tyre e shpeshtë është pjesë e natyrshme e jetës së tyre”, tha Pajaziti.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shqyrtojë mundësinë e vendosjes së modelit të lehtësive ose përjashtimeve të veçanta për qytetarët e Luginës, në mënyrë që zbatimi i ligjeve të mos ndikojë negativisht në jetën e tyre. Sipas tij, një trajtim i ngurtë mund të ketë pasoja indirekte, përfshirë ndikime në proceset administrative si pasivizimi i adresave në vendbanimet e tyre.

Pajaziti përmendi praktikat e mëparshme, kur qytetarët e Luginës përjashtoheshin nga pagesa e sigurimit të automjeteve gjatë hyrjes në Kosovë, duke sugjeruar se një model i ngjashëm mund të jetë i zbatueshëm edhe tani. Ai përfundoi duke theksuar: “Ekziston vullneti për të gjetur zgjidhje që mundësojnë një zbatim të drejtë të ligjit, duke marrë parasysh lidhjet e veçanta që shqiptarët e Luginës kanë me Kosovën”./BujanociNet/