Kryeministri Kurti uron Donjeta Sadikun për triumfin në Turneun ndërkombëtar të boksit “Strandja 2026” në Sofje

Kryeministri Albin Kurti ka uruar Donjeta Sadikun për triumfin në Turneun ndërkombëtar të boksit “Strandja 2026” në Sofje, e ku thotë se ajo shkëlqeu gjatë turneut duke shënuar disa fitore radhazi kundër boksierëve shumë cilësor.
Postimi i plotë:
Donjeta, mund kampionen e botës, fiton medaljen e artë!
Donjeta Sadiku ka triumfuar në Turneun ndërkombëtar të boksit “Strandja 2026” në Sofje. Ajo fitoi sërish medaljen e artë. Këtë herë kundër kampiones së botës, boksieres nga Brazili, Rebeca Santos de Lima, në kategorinë – 60 kg.
Ajo shkëlqeu gjatë turneut duke shënuar disa fitore radhazi kundër boksiereve shumë cilësore nga Çekia, Ukraina dhe Egjipti.
Nën udhëheqjen e trajneres Marjola Sallauka, Donjeta ka shfaqur një teknikë të përkryer dhe përgatitje të jashtëzakonshme në finale e madhe kur mundi kampionen e botës dhe gjatë të gjitha ndeshjeve.
“Strandja” njihet si turneu më i vjetër dhe ndër më prestigjiozët në boksin amator botëroe. Sivjet u mbajt edicioni i 77-të.
Ky është viti i dytë me radhë që boksierja nga Kosova fitoi turneun, në gjurmët e të madhit Mehmet Bogujevci i cili e fitoi medaljen e artë në vitin 1977 po në këtë turne.