Ka humbje që dhembin, por ka edhe humbje që të bëjnë ta kuptosh që je rritur, je i barabartë dhe së shpejti do të jesh aty ku të në këtë vend ëndërrojmë.
E tillë ishte kjo e Kosovës ndaj Turqisë në “Fadil Vokrri”, në finalen e madhe për një vend në Kupën e Botës. Një disfatë minimale 1-0, por një paraqitje që tregoi se kjo Kosovë nuk është më një ekip i vogël – është një skuadër që po troket seriozisht në dyert e futbollit të madh.
“Krenar me ju, djema” nuk është thjesht një fjali, është ndjesi që vjen nga zemrat e çdo shqiptari. Është ajo që ndjeu secili tifoz pas një kampanje të jashtëzakonshme kualifikuese.

Në një grup me emra si Zvicra, Suedia dhe Sllovenia, Kosova arriti të dalë e dyta – një sukses që pak kush e kishte imagjinuar. Dy fitore ndaj Suedisë, fitore dhe barazim me Slloveninë, si dhe një barazim me Zvicrën – 11 pikë që peshojnë shumë më tepër se shifrat.
Dhe pastaj erdhi ajo natë në Prishtinë. Një ndeshje ku Kosova nuk u dorëzua asnjë moment. Goditja e shtyllës nga Fisnik Asllani, përpjekjet e vazhdueshme në pjesën e dytë, besimi deri në sekondën e fundit. Ishte një ekip që luajti me zemër, me shpirt, me ëndërr.
Ndoshta mungesat e Amir Rrahmani dhe Leon Avdullahu u ndjenë në këto ndeshje të “play-off”-it, por kjo nuk e zbeh aspak atë që arriti kjo skuadër. Sepse gjithçka nisi me një fitore spektakolare 4-3 ndaj Sllovakisë në Bratislavë – një sinjal i qartë se Kosova ishte gati për diçka të madhe.
Ky ekip ka të ardhme. Dhe kjo nuk është thjesht një shpresë. Është bindje e krijuar tashmë. Me këtë rritje, me këtë mentalitet, nuk është larg dita kur Kosova do të jetë pjesë e një eventi madhor. Kampionati Evropian që vjen pas dy vitesh duket më afër se kurrë.
Pra, një vlerësim i veçantë shkon për të gjithë lojtarët, të cilët treguan karakter dhe përgjegjësi të lartë për fanellën e shtetit – luftuan fort në çdo moment, nuk tërhoqën këmbën në asnjë duel dhe dhuruan gola të mëdhenj që do të mbeten gjatë në kujtesë.
Një meritë e madhe i takon Franco Foda, një trajner që ka sjellë disiplinë, organizim dhe identitet. Një strateg që ka treguar se di ta menaxhojë ekipin sidomos jashtë fushe, ndërsa ndoshta mbetet ende për t’u përmirësuar qasja në ndeshjet në shtëpi, ku emocionet shpesh i marrin përpara lojtarët.
Falënderimi shkon edhe për Agim Ademi dhe Federatën, që kanë ndërtuar një strukturë serioze dhe një ekip që tashmë është shembull, brenda dhe jashtë fushe.
E mbi të gjitha, faleminderit për “Dardanët”. Për tifozët që nuk u ndalën asnjë moment, që krijuan atmosferë, që besuan. Sepse kjo rrugë nuk ishte vetëm e lojtarëve – ishte e të gjithëve.
Kosova mund të mos ketë arritur Botërorin këtë herë, por arriti diçka po aq të rëndësishme: na bëri të besojmë.






