Andrea Cambiaso është shndërruar në një nga mbrojtësit e krahut më të kërkuar në tregun e transferimeve pas kalimit të Marc Cucurellas te Real Madridi.
Transferimi i spanjollit ka krijuar lëvizje të mëdha në treg për lojtarët e këtij pozicioni, ndërsa emri i mbrojtësit të Juventusit po tërheq vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane.

Sipas raportimeve nga SportItalia, reprezentuesi italian ka marrë interes konkret gjatë javëve të fundit nga Atletico Madridi dhe Chelsea, dy klube që kanë kërkuar informacione rreth kushteve të një transferimi të mundshëm.
Juventusi nuk konsiderohet kundër shitjes së lojtarit, por drejtuesit e klubit torinez janë të gatshëm të negociojnë vetëm në rast se mbërrin një ofertë që përmbush pritshmëritë e tyre financiare.
Megjithatë, vetë Cambiaso duket se ka një destinacion të preferuar. Mbrojtësi 26-vjeçar raportohet se e sheh Barcelonën si opsionin më tërheqës për të ardhmen e tij dhe është i gatshëm të presë vendimin e klubit katalanas përpara se të marrë një hap përfundimtar.
Barcelona e ka ndjekur prej kohësh italianin, duke vlerësuar aftësinë e tij për të luajtur në të dy krahët e mbrojtjes, një karakteristikë që e bën atë veçanërisht të vlefshëm për çdo trajner.
Megjithatë, aktualisht pozita e mbrojtësit të majtë nuk konsiderohet prioritet absolut për drejtuesit e klubit katalanas. Barcelona është e fokusuar në disa operacione të tjera në afatin kalimtar dhe po shqyrton gjithashtu mundësinë e rikthimit të Joao Cancelos, i cili mund të luajë si në krahun e djathtë ashtu edhe në atë të majtë të mbrojtjes.
Për momentin, Cambiaso mbetet në pritje, ndërsa interesimi nga klubet e mëdha vazhdon të rritet. Vendimi përfundimtar mund të varet nga hapat që Barcelona do të ndërmarrë në javët e ardhshme në lidhje me repartin defensiv./Telegrafi/





