Këshilli Komunal i Bujanocit miraton raportet vjetore dhe hap diskutimin për tokat bujqësore 2026

Është mbajtur sot seanca e radhës e Këshillit Komunal në Bujanoc, ku në rend dite ishin disa pika me rëndësi për funksionimin e administratës lokale dhe planifikimin zhvillimor të komunës.

Gjatë mbledhjes janë shqyrtuar dhe miratuar raportet vjetore për vitin 2025 të drejtorive komunale, përfshirë raportet financiare si dhe raportet e komisioneve për inventarizim dhe regjistrim të pasurisë komunale.

Në fokus të diskutimeve ishin edhe kërkesa të paraqitura nga institucione dhe shoqata të ndryshme lokale, ndërsa një nga temat me peshë ishte planifikimi dhe mënyra e shfrytëzimit të tokave bujqësore për vitin 2026 – çështje kjo që prek drejtpërdrejt sektorin e bujqësisë dhe ekonominë familjare në komunë.

Nga diskutimet u theksua nevoja për vazhdim të punës me përgjegjësi dhe transparencë, duke vënë theksin në menaxhimin e rregullt të financave publike dhe planifikimin afatgjatë në interes të qytetarëve.

Seanca u zhvillua në kuadër të aktiviteteve të rregullta të Këshillit Komunal, i cili mbetet organi vendimmarrës për çështjet kyçe administrative dhe zhvillimore në komunë.