Kelmendi: Katër vendimmarrës vendosën që guerilja të quhej UÇK

Nacionale

Veprimtari Ibrahim Kelmendi ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte formuar para se emri i saj të zyrtarizohej më 17 nëntor 1994 në Aarau të Zvicrës. Duke folur në Debat Plus të TV Dukagjinit, në kuadër të ciklit ekskluziv “Dosjet”, Kelmendi ka thënë se themelimi i UÇK-së lidhet me vendimet e Mbledhjes së Katërt […]

Madhësia e shkronjave

Veprimtari Ibrahim Kelmendi ka deklaruar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte formuar para se emri i saj të zyrtarizohej më 17 nëntor 1994 në Aarau të Zvicrës.

Duke folur në Debat Plus të TV Dukagjinit, në kuadër të ciklit ekskluziv “Dosjet”, Kelmendi ka thënë se themelimi i UÇK-së lidhet me vendimet e Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme të LPK-së.

“Rëndom, fëmija nuk lind kur ia caktojnë emrin, por kur në fakt del nga barku i nënës. Edhe UÇK-në e ka formuar Mbledhja e Katërt e Përgjithshme”, ka deklaruar Kelmendi.

Ai ka thënë se më 4 dhjetor 1993, Këshilli i Përgjithshëm kishte vendosur ta jetësonte këtë vendim, duke formuar Komisionin e Rëndësisë së Veçantë dhe Fondin “Vendlindja Thërret”.

Sipas Kelmendit, më 17 nëntor 1994, kryesia kishte vendosur emrin e gueriles që po formohej, ndonëse, sipas tij, Këshilli i Përgjithshëm nuk e kishte ngarkuar me këtë vendim.

Kelmendi ka vlerësuar se emërtimi “Ushtria Çlirimtare e Kosovës” ishte një emërtim militarist, të cilin, sipas tij, e kishin bërë katër vendimmarrës të kryesisë të ndikuar nga “mendësia militariste enveriste”.

I pyetur nëse kishte pasur mosmarrëveshje me ndonjë prej figurave të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Kelmendi ka thënë se deri në verën e vitit 1996 nuk kishte pasur mosmarrëveshje me asnjërin prej tyre.