Komisioni Evropian (KE) i doli në mbrojtje të delegacionit të Parlamentit Evropian (PE), i cili do t’i vëzhgojë zgjedhjet në Serbi, pasi Beogradi zyrtar kundërshtoi përbërjen e tij.
“Sa u përket konkretisht misioneve për vëzhgimin e zgjedhjeve, dua të jem i qartë: ne i marrim shumë seriozisht të gjitha përpjekjet për të diskredituar deputetët e PE-së që marrin pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve”, tha gjatë një konference për media zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wiegand.
Ai theksoi se puna e delegacionit bazohet në standarde të qarta, paanshmëri dhe ekspertizë shumëvjeçare.
“Prandaj, presim që të gjitha vendet, përfshirë, natyrisht, vendet kandidate dhe kandidatët potencialë [për anëtarësim në Bashkimin Evropian], të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive dhe transparente me përpjekjet ndërkombëtare për vëzhgimin e zgjedhjeve”, tha zëdhënësi në Bruksel.
“Vendosja e një misioni afatgjatë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë [OSBE] për vëzhgimin e zgjedhjeve, meqë ra fjala, me kërkesë të autoriteteve serbe, si dhe ftesa drejtuar PE-së, përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt sigurimit të vëzhgimit të besueshëm të zgjedhjeve dhe mbështetjes së kontributit të vëzhguesve vendorë në integritetin e procesit zgjedhor”, shtoi Wiegand.
Ky reagim erdhi pasi kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentit të Serbisë, Ana Bërnabiq, i dërgoi një letër presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në të cilën shprehu kundërshtimin për përbërjen e delegacionit, veçanërisht për emërimin e eurodeputetit Andreas Schieder si drejtues të tij.
Sipas Bërnabiqit, veprimtaria publike e deritanishme e disa anëtarëve të delegacionit dëshmon për “anshmërinë e tij të plotë politike”.
Pas pranimit të letrës, PE-ja njoftoi se nuk ka ndërmend ta ndryshojë përbërjen e delegacionit që do t’i vëzhgojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi, që do të mbahen të dielën, më 25 tetor.
Më 22 tetor, letrës iu përgjigj edhe kancelari austriak, Christian Stocker, i cili tha se Vjena nuk e konsideron sinjal të mirë kritikën ndaj Schiederit, i cili është nga Austria.
Duke folur për zgjedhjet që do të mbahen në Serbi më 25 tetor, zëdhënësi Wiegand tha se BE-ja po e ndjek nga afër procesin e ardhshëm të votimit.
“Zgjedhjet e lira, të ndershme dhe transparente janë në thelb të demokracisë evropiane. Ato duhet të organizohen në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare”, u shpreh ai.
Ndërkaq, ditë më parë, thirrje të ngjashme për zgjedhje të lira dhe të ndershme bënë edhe një një grup senatorësh amerikanë nga dy partitë kryesore në Shtetet e Bashkuara.
OSBE-ja ka angazhuar disa qindra vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Në Serbi, që nga mesnata, është në fuqi heshtja zgjedhore.