KBF Bashkimi shkruan historinë, kapitenia Muhadri: Katër tituj radhazi janë rezultat i punës dhe unitetit

Sport

Kapitenia e KB Bashkimit, Aulona Muhadri, ka folur për Telegrafin pas triumfit të radhës të skuadrës së saj, e cila ka siguruar titullin e katërt radhazi kampion në basketbollin vendor. Klubi i basketbollit Bashkimi ka vazhduar dominimin në skenën vendore, ndërsa Muhadri e ka cilësuar këtë arritje si një sukses të jashtëzakonshëm, të ndërtuar mbi […]

Madhësia e shkronjave

Kapitenia e KB Bashkimit, Aulona Muhadri, ka folur për Telegrafin pas triumfit të radhës të skuadrës së saj, e cila ka siguruar titullin e katërt radhazi kampion në basketbollin vendor.

Klubi i basketbollit Bashkimi ka vazhduar dominimin në skenën vendore, ndërsa Muhadri e ka cilësuar këtë arritje si një sukses të jashtëzakonshëm, të ndërtuar mbi sakrificë, disiplinë dhe bashkëpunim të vazhdueshëm brenda ekipit.

“Është jashtëzakonisht e vështirë të fitosh katër tituj radhazi, sepse çdo sezon fillon nga zero dhe presioni rritet vazhdimisht. Kundërshtaret janë më të motivuara ndaj nesh, ndërsa pritshmëritë brenda klubit janë gjithmonë të larta. Ky sukses vjen si rezultat i punës së madhe, disiplinës dhe unitetit të ekipit gjatë gjithë vitit”, ka thënë fillimisht Muhadri.

Finalja e këtij edicioni rezultoi të jetë ndër më dramatiket, duke shkuar deri në ndeshjen e shtatë, pasi seria u barazua në 3-3.

Muhadri pranoi se ishte një përballje emocionalisht e lodhshme, por theksoi se përvoja e ekipit në situata të tilla ka qenë vendimtare.

“Ishte një seri shumë e vështirë dhe emocionalisht e lodhshme. Pas barazimit 3-3, presioni ishte i madh, sidomos duke pasur parasysh terrenin dhe rëndësinë e ndeshjes. Por si ekip që kemi përvojë në situata të tilla, kemi qëndruar të qeta, kemi besuar në njëra-tjetrën dhe kemi luajtur me zemër e disiplinë deri në fund”.

Ajo vlerësoi gjithashtu nivelin e konkurrencës në kampionat, duke përmendur se Peja ka qenë një nga kundërshtaret më të forta dhe më të organizuara, veçanërisht në finale.

“Peja ka qenë padyshim një nga kundërshtaret më të forta dhe më të organizuara në këto vite, sidomos në finale. Megjithatë, nuk do të veçoja vetëm një ekip, sepse çdo sezon ka pasur skuadra që kanë sjellë sfida të ndryshme dhe kanë bërë kampionatin më konkurrues”, shtoi Muhadri.

Duke folur për sezonin në tërësi, kapitenia e Bashkimit e cilësoi atë si të gjatë dhe të lodhshëm, por në fund shumë të suksesshëm, duke theksuar karakterin dhe pjekurinë e ekipit.

“Sezoni ka qenë shumë i gjatë dhe i lodhshëm, por në fund shumë i suksesshëm. Kemi kaluar momente të vështira, por ekipi ka treguar karakter, pjekuri dhe bashkim. Si kapitene, jam krenare për mënyrën se si kemi reaguar në momentet vendimtare dhe për trofeun e fituar”.

Sa i përket të ardhmes, Muhadri u shpreh se aktualisht është e fokusuar në shijimin e suksesit të arritur me skuadrën.

“Për momentin jam e fokusuar te momenti dhe te suksesi që kemi arritur me ekipin. Për të ardhmen do të ketë kohë për vendime dhe diskutime, por aktualisht prioriteti im është të shijoj këtë arritje me klubin dhe bashkëlojtarët”, përfundoi Muahdri për Telegrafin.

Me këtë sukses, Bashkimi konfirmon epokën e artë në basketbollin vendor, duke u shndërruar në një nga skuadrat më dominuese të viteve të fundit.

Katër tituj radhazi kampion, paraqitje të vazhdueshme në finale dhe stabilitet në performancë dëshmojnë për një klub të ndërtuar mbi bazamente të forta sportive dhe organizative, që synon të vazhdojë të shkruajë historinë edhe në sezonet e ardhshme. /Telegrafi/