Harry Kane ka pranuar se kartoni i kuq i Eduardo Camavinga ishte një moment vendimtar në fitoren dramatike 4-3 të Bayern Munich ndaj Real Madridit në ndeshjen e kthimit të çerekfinales të Ligës së Kampionëve.
Kapiteni i Anglisë realizoi gjatë takimit, por ishte përjashtimi i Camavingas ai që ndryshoi rrjedhën e lojës, duke i mundësuar Bayernit të sigurojë një fitore të përgjithshme 6-4 dhe të avancojë në gjysmëfinale.
Duke folur për mediat pas ndeshjes, Kane u pyet për dy kartonët e verdhë të marrë nga mesfushori francez.
“Përjashtimi na ndihmoi disi”, ka thënë Kane.
“Jam i sigurt që ata janë të zemëruar, por vitet e fundit kanë pasur shumë vendime në favorin e tyre. Ishte një karton i verdhë i panevojshëm”.
“Si lojtar, nuk mund të marrësh topin dhe të largohesh me të, sidomos kur ke marrë tashmë një karton. Është shumë e rrezikshme”.
“Gjyqtari vendosi në atë mënyrë dhe është mirë që këtë herë një situatë e tillë shkoi në favorin tonë”, shtoi Kane.
Nga ana tjetër, Real Madridi mbetet i pakënaqur me vendimin e gjyqtarit për kartonin e dytë të verdhë, megjithatë vetë Camavinga konsiderohet se bëri një gabim të rëndë në atë moment. /Telegrafi/






