Ish-mesfushori i Real Madridit, Toni Kroos, ka deklaruar se qasja taktike aktuale e Barcelonës nuk është e mjaftueshme për të siguruar trofeun e Ligës së Kampionëve.
Në një analizë të tij, Kroos foli për eliminimin e skuadrës katalanase në çerekfinale, ku u mposhtën nga Atletico Madrid me rezultat të përgjithshëm 2-3.
“Unë mendoj se Barcelona ishte skuadra më e fortë, por kur luan për një kohë të gjatë me një lojtar më pak, është shumë e vështirë”.
“Atletico di si ta mbrojë rezultatin dhe, duke pasur avantazhin e ndeshjes së parë dhe kartonin e kuq të kundërshtarit, ata patën një shtysë të madhe për të kaluar në gjysmëfinale”, u shpreh Kroos.
Ai shtoi se mënyra e mbrojtjes së Barcelonës lë hapësira të mëdha në prapavijë, duke theksuar se kjo u ka kushtuar edhe në sezonet e mëparshme.
“Kur mbrohesh në atë mënyrë dhe lë kaq shumë hapësira pas, gjëra të tilla ndodhin, përfshirë edhe kartonët e kuq për të ndalur situatat një kundër një me portierin”.
Kroos përfundoi analizën e tij duke kritikuar vazhdimësinë taktike të katalanasve.
“Mbrojtja e Barcelonës është shumë e brishtë. Vitin e kaluar i kushtoi ndaj Interit, dhe këtë vit ndaj Atletico Madridit. Siç kam thënë edhe më parë, nëse nuk e ndryshojnë stilin e lojës, nuk do ta fitojnë Ligën e Kampionëve”. /Telegrafi/






